Presioni ndaj gazetarëve rritet

schedule09:22 - 23 Maj, 2019

schedule 09:22 - 23 Maj, 2019

Një artikull në vështrim të parë jospektakular po preokupon Moskën politike. Gazeta e biznesit Kommersant njoftoi më 17 prill se Kryetarja e Këshillit të Federatës, dhomës së dytë të parlamentit të Rusisë, Valentina Matvijenko, mund të heqë së shpejti dorë nga posti i saj. Artikulli citon burime nga aparati shtetëror.

Sipas artikullit Matvijenko do të marrë përsipër drejtimin e fondit të pensioneve shtetërore. Hollësitë do të diskutohen në maj, gjatë një bisede midis saj dhe Presidentit Putin. Në artikull gjithashtu përmendet një pasues i mundshëm për Kryetaren e Këshillit të Federatës: Sergej Naryshkin, aktualisht shef i Zbulimit për Botën e Jashtme. Të dy, si Matvijenko, ashtu dhe Naryshkin bëjnë pjesë në pasuesit më të afërt të Presidentit.

Ndërkohë, Kommersanti u ka kërkuar autorëve të këtij artikulli, Ivan Safronov dhe Maxim Ivanov, që të paraqesin kërkesën për largim nga puna. Me sa duket dikush nga shtëpia botuese kishte kërkuar të mësonte më shumë rreth burimeve të artikullit. Autorët iu referuan mbrojtjes së zakonshme të burimit në gazetari – hap pas të cilit atyre iu kërkua të largohen nga Kommersant-i. Kryeredaktori Vladimir Borisoviç Zelonkin shprehu në bisedë me DW dyshime për ekzistencën e burimeve të ish-autorëve të tij. “Unë nuk doja të kisha vetë burimet, por doja të sigurohem se ato ekzistojnë. Për këtë kam dyshime”, i tha ai DW.

Një valë solidariteti

Të hënën në mbrëmje, 13 redaktorë shprehën solidaritetin e tyre me Ivan Safronovin dhe Maksim Ivanovin dhe e braktisën gjithashtu gazetën. Ata punonin si Safronovi dhe Ivanovi në sektorin e politikës së brendshme të Kommersant-it. Botuesi reagoi shpejt: redaktorët tani nuk mund të kthehen më në kompjuterët e tyre, lejehyrjet e tyre në institucion janë të pavlefshme. Me sa duket, drejtuesit e shtëpisë botuese ndjekin një vijë të ashpër.

Largimi nuk do të ketë efekt në punën e gazetës, beson kryeredaktori Vladimir Borisoviç Zhelonkin. Ai gjithashtu mohon se pronari i shtëpisë mediale Kommersant, oligarku i afërt me Kremlinin, Alisher Usmanov, të ketë bërë presion. “Ai nuk më ka pyetur kurrë se kush qëndron pas artikullit”, tha kryeredaktori.

Redaktorët e shkarkuar e shohin këtë ndryshe. Ata shkruajnë në mediat sociale se pas shkarkimit të Safronovit dhe Ivanovit qëndron vetë pronari. Redaktorë që ende punojnë në Kommersant, por nuk duan të përmenden me emër, gjithashtu e supozojnë këtë.

Ivanovi dhe Safronovi punonin prej shumë vitesh për gazetën e biznesit dhe konsideroheshin të besueshëm. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov tha në një deklaratë për çështjen e Kommersantit: “Ivan Safronovi është njëri nga gazetarët më të talentuar dhe profesionistë që njohim.” I shqetësuar është edhe Mikhail Fedotov, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut te Presidenti. Ai i kërkon shtëpisë botuese të Kommersantit që të mos ndërhyjë në çështjet redaksionale.

Jo më raportime politike në Kommersant?

Kryeredaktori Vladimir Zhelonkin pretendon për DW se redaktorët nuk kishin respektuar standardet gazetareske. Punonjësit e Kommersant-it e kundërshtojnë: “Nuk ka shkelje të standardeve, por presion ndaj gazetarëve”, thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga më shumë se 200 gazetarë. Ata të gjithë punojnë për Media Holding, ku botohet edhe Kommersanti. Ata i informojnë lexuesit se deri në një vendim të dytë Kommersanti nuk mund të raportojë më për politikën ruse.

Një nga mediat më të mira ruse u shkatërrua, thonë ata. Meqenëse mungojnë informacionet e sigurta, në Moskë spekulohet se pse artikulli për ndryshimin e mundshëm në Këshillin e Federatës tërheq kaq shumë vëmendjen. Me sa duket, politikanët e përmendur, presidentja e Këshillit të Federatës Matvijenko dhe kreu i Zbulimit për botën e jashtme, Naryshkin, frikësohen se artikulli mund të rrezikojë karrierën e tyre të mëtejshme politike. Kjo është ndoshta arsyeja pse ata ushtruan presion mbi shtëpinë botuese./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!