Presidenti turk Erdogan në krye të sondazheve pavarësisht koronavirusit dhe krizës ekonomike

schedule15:52 - 7 Korrik, 2020

schedule 15:52 - 7 Korrik, 2020

Kriza ekonomike, pandemia, kritikat. Shumë gjëra negative në gjendje për t’i dhënë goditje të forta besueshmërisë dhe forcës së një qeverie. Por megjithatë partia e Erdogan, dhe pse shënon rënie, është sërish e fortë. Pavarësisht dobësimit të lirisë në një vend ende në gjendje shoku si pasojë e pandemisë së kronavirusit që nuk ka kursyer viktima dhe dhimbje. Fitoret në Libi, dhe protagonizmi i liderit në politikën e jashtme, kanë rritur popullaritetin e tij, shkruan La Repubblica

Në Turqi zgjedhjet e ardhshme janë pas tre vitesh, në 2023-shin. Por një institut i besueshëm sondazesh si MetroPol, i aftë për të gjetur shpesh rezultatet elektorale, i bën një lexim interesant situatës aktuale politike në Turqi. Partia Zhvillim dhe Drejtësisë – AKP – e themeluar nga presidenti turk Erdogan në 2001-shin së bashku me ish kreun e shtetit Abdullah Gul, aktualisht gëzon 30 për qind të mbështetjes në popull. Sigurisht nuk është një rezultat bindës si disa vite më parë, kur partia konservatore me origjinë fetare gëzonte më shumë se 40 për qind të mbështetjes. Por pavarësisht kësaj, partia mbështetet në një fazë të fortë elektorale.

Sipas Metropol, nga janari deri në mars të këtij viti, pra para mbylljes së vendit si pasojë e emergjencës së koronavirusit, partia e presidentit ka qenë e qëndrueshme me 33.7 për qind të personave të cilët deklaronin se do e votonin nëse do i drejtoheshin kutive të votimit. Në qershor me lehtësimin e masave pasi Turqia ka qenë vendi i shtatë në botë për numrin e rasteve dhe viktimave nga Covid-19,  aktualisht renditet e 14 – mbështetja ka rënë në 30.3 për qind. Minus tre pikë nuk janë pak, por duke pasur parasysh shifrat në momentin e zgjedhjeve, të dhënat konsiderohen nga analistët, si një tregues i mjaftueshëm qëndrueshmërie.

Grupi i pavarur i kërkimeve MetroPol aplikon këtë sistem: Çdo muaj pyet një përqinde të caktuar qytetarësh turq: “Nëse të dielën do të kishte zgjedhje parlamentare, për kë parti politike do të votoje?”. Në këtë mënyrë shoqëria e sondazheve arrin të krijojë një imazh të qartë për sa i përket simpative elektorale.

Me rënien e lehtë të partisë në pushtet, e dyta në radhë mbetet si gjithnjë partia republikane e popullit, rreth 6 pikë nën partinë në pushtet prej pothuajse 20 vitesh tashmë. Kjo parti është një grupim politik me orientim socialdemokrat dhe është më e vjetra në vend, prej kohësh opozitë e zëshme në Asamblenë Kombëtare.

Arsyeja kryesore e mëdyshjeve të qytetarëve turq nga partisë në pushtet është ekonomia. Në dy vitet e fundit fuqia e blerjes së qytetarëve ka rënë ndjeshëm, inflacioni është rritur dhe në mars të 2019-ës u shfaq recesioni. Në mes të vitit niveli i papunësisë ishte rritur ndjeshëm deri në 15 për qind. Para epidemisë, autoritetet e qeverisë prisnin që ekonomia të rimëkëmbej por virusi zeroi çdo pritshmëri.

Aktualisht financat e Ankarasë mbeten të dobëta dhe borxhi i jashtëm mbetet i lartë. Dhe kritikat ndaj lidershipit në pushtet janë të qarta dhe pse nuk shprehen në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër kreut të shtetit. Erdogan vijon të fitojë popullaritet falë ofensivave ushtarake kundër kurdëve, brenda vendit, në Siri dhe Libi. Protagonizmi i Erdogan dhe mbrojtja e kufijve  me synimin për t’i zgjeruar  perceptohen në mënyrë pozitive nga një popull shumë patriotik si ai turk.

Në zgjedhjet e qershorit 2019 partia e presidentit kishte fituar në planin kombëtar, por humbi në nivel administrativ në të gjitha qendrat e mëdha si Ankara, Stamboll, Izmir dhe Antalia në atë që në fund rezultoi si një paralajmërim i fortë për rrëshqitjen e pushtetit nga duart e partisë së Erdogan.

Zgjedhjet e ardhshme duken larg, por viti 2023 është një datë shumë domethënëse për turqit: është 100 vjetori i themelimit të republikës së kërkuar nga Mustafa Qemal Mustafa Kemal, Ataturku laik, babai i turqve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!