Presidenti i Republikës refuzon propozimin e Kryeministrit për emërimin e Gent Cakajt Ministër të Jashtëm. Sipas kreut të shtetit, Shqipëria është në momente vendimtare sa i takon politikës së jashtme, ndërsa emri i propozuar për ministër nuk ka përvojën e duhur politike dhe diplomatike.
Gent Cakaj në këndvështrimin e Ilir Metës nuk është i përshtatshëm për të qenë në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Presidenti i Republikës ka refuzuar propozimin e kryeministrit Edi Rama me argumentin se Shqipëria ndodhet përballë sfidave madhore dhe nuk ka kohë për të eksperimentuar e provuar kapacitetet dhe aftësitë e ministrit të propozuar.
“Në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet një individ i sprovuar dhe efikas me njohje të plotë të përgjegjësive shtetërore, kombëtare dhe administrative, i vetëdijshëm për impaktin e madh dhe vendimtar që do të ketë në politikën e jashtme veçanërisht në muajt e ardhshëm, por dhe gjatë kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria që është përgjegjësi historike për vendin tonë. Profili i z. Gent Cakaj i propozuar në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative shtetërore në secilin element dhe në tërësi”.
Të gjitha konstatimet në të cilat ka arritur pas verifikimit të hollësishëm që thotë se ka kryer para se të marrë këtë vendim, Presidenti Meta ia ka shprehur kryeministrit Edi Rama përmes një letre. Gent Cakaj sipas Kreut të Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dëshmuar jo vetëm mungesë përvoje, por për çështje thelbësore të politikës rajonale ka mbajtur qendrime të papranueshme madje të rrezikshme.
“Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Këto deklarata të rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian.
Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon.”
Presidenti i Republikës thotë se Cakaj është treguar i papërgjegjshëm gjatë ushtrimit të detyrës së zëvendësminitrit pasi ka neglizhuar zbatimin e ligjit dhe ka rrezikuar informacionin e klasifikuar sekret shtetëror.
“Konkretisht z. Gent Cakaj me VKM nr.342, datë 07.06.2018 është emëruar në detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ushtrimi i së cilës kërkon domosdoshmërisht pajisjen me çertifikatën e sigurisë personale, me qëllim që personi të njihet, administrojë apo përpunojë informacion të klasifikuar.
Nga ky moment subjektit në fjalë… i lind detyrimi ligjor që të aplikojë dhe të pajiset me Certifikatat përkatëse të Sigurisë.
Nga informacioni zyrtar i administruar nga MEPJ, nga DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se z. Gent Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.
Sipas konfirmimit shkresor të MEPJ dhe DSIK, z. Gent Cakaj ka plotësuar formularin e aplikimit vetëm më datë 03 janar 2019 (3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ).
Cakaj, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me Certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor.”
Me mosplotësimin e formularit të sigurisë në kohën e kërkuar Kreu I Shtetit thote se Cakaj ka penguar verifikimin e sigurisë për këtë periudhë pasi ky process detyron ligji fillon vetëm pasi individi ka dhënë pëlqimin me shkrim.
“Shmangia prej tij i zbatimit të këtyre detyrimeve ligjore, së pari është shkelje për të cilën çdo funksionar duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, por njëkohësisht kjo sjellje tregon për mungesë të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksionit publik si Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe është një tregues tepër i qartë për rrezikun që mbart kjo kandidaturë, për të ushtruar detyrën shumë të rëndësishme të propozuar për emërim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme…. Në formën se si është kryer, procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klafisikuar (DSIK).”
28 vjeçari nga Prishtina është pajisur me certifikatë të nivelit “Tepër Sekret”, për njohjen e informacionit të klasifikuar “Sekret Shtetëror”; “Cosmic Top Secret” për njohje të informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe “EU Secret/Sekret UE”, për njohjen e informacionit të klasifikuar të BE-së vetem me 4 janar 2019 dhe se certifikatet janë të vlefshme deri më datë 03.01.2024.
Procesi sipas Presidentit i realizuar brenda 1 dite tregon qartë se nuk është kryer një verifikimi i mirëfilltë verifikimi sipas procedurës së parashikuar.
Ndërkohë që për Cakaj-n me dy shtetesi Kreu i Shtetit thotë se verifikimi duhej kryer bashkë me organizatat partnere te Republikës së Kosovës.
Për të gjitha këto arsye Ilir Meta i thotë Edi Ramës se Gent Cakaj nuk i krijon besueshmëri, pasi nuk ofron garancitë e nevojshme për të qenë në lartësinë e detyrës së ofruar. /abcnews.al