Ilir Meta e konsideron të panevojshme votën e Shqipërinë në rezolutën e OKB-së që kundërshton qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me Jeruzalemin. Duke marrë distancat nga vendimi i Qeverisë Rama, Presidenca theksoi se ai nuk është qëndrim shtetëror dhe aq më tepër nuk është një qëndrim e consensus mbarëkombëtar.
Presidenti i Republikës u distancua nga qëndrimi i Qeverisë në OKB, ku Shqipëria votoi pro rezolutës që kundërshtonte vendimin e Amerikës përsa i përket Jeruzalemit. Ilir Meta e konsideron të panevojshëm këtë qendrim të Tiranës.
“Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar. Presidenti thekson se nuk duhet të harrojmë se SHBA mbetet aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara”.
Përmes një njoftimi të zëdhënësit të tij, Presidenti Meta thekson se nuk ishte konsultuar nga Qeveria para se të merrej një vendim i tillë.
“Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar”.
Qëndrim të ngjashëm me Presidentin Meta ka shprehur edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se ai do të kishte votuar në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndër vendet që abstenuan në votimin ne OKB janë edhe 5 shtete anëtare të Bashkimit Europian: Kroacia, Çekia, Hungaria, Polonia, Rumania. Gjithashtu abstenuan edhe 4 vende europiane si Bosnjë Hercegovina, Letonia, Moldavia dhe Ukraina./abcnews.al