Presidenti Meta intervistë për median italiane: Zgjedhjet e qershorit nuk ishin të ligjshme

schedule11:46 - 30 Gusht, 2019

schedule 11:46 - 30 Gusht, 2019

Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për median italiane “Il Giornale” ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin të ligjshme. Kreu i Shtetit ka theksuar se të drejtën për të kundërshtuar dekretin e tij për shtyrjen e datës së zgjedhjeve e ka Gjykata Kushtetuese dhe jo Kryeministri.

Shkuan në Gjirin e Lalzit për tu njohur me arsyet që detyruan Presidentin Ilir Meta të shtynte zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Gazetarët e medias italiane Il Giornale.it mësuan se nëse nuk do të ishin dekretuar zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo e rastësishme,sipas presidentit- sepse më 18 tetor do të vendoset nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, – do të ishte e pashmangshme një përplasje mes dy kampeve politike.

Në një kohë që unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e Kryeministrit ishte që ai nuk po e kuptonte se zgjedhjet e zhvilluara në këtë mënyrë ishin problem për negociatat me Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të kundërshtojë dekretin e Presidentit. Është për të ardhur keq që deri më sot veprimtaria e gjykatës është pezulluar me vullnetin e Ramës”.

Për të kuptuar parregullsinë e këtyre zgjedhjeve, mjafton të mendosh faktin se në të gjitha 61 bashkitë ku u zhvilluan votime, fituan socialistët sepse nuk kishin asnjë kundërshtar si gjatë regjimit komunist. Kjo deklaratë e presidentit habit gazetarin Italian që i drejton një pyetje të drejtpërdrejtë: E keni seriozisht?

“Do t’ju them më shumë: jo vetëm që partia e Kryeministrit ka zgjedhur të gjithë

 kryetarët e bashkive, por edhe të gjithë anëtarët e këshillave bashkiakë, përfshirë edhe qytetin e Tiranës. Rezultati i pjesëmarrjes u shpall pas më shumë se njëzet ditëve dhe ishte zyrtarisht 23%, por në të vërtetë ishte më i ulët”.

Media italiane interesohet edhe për mendimin që ka presidenti mbi sistemin e korrupsionit që zbuloi e përjavshmja gjermane “Bild” me publikimin e një seri përgjimesh për politikanët e Partisë Socialiste, zyrtarë të Policisë dhe elementë të krimit të organizuar, gjë që tregon se shumë marrëveshje ishin rezultat i shkëmbimit të votave.

“Është e papranueshme që vitet e fundit nuk është bërë asnjë hetim i thelluar për këto ngjarje. Është një nga rastet më të rënda të funksionimit të shtetit të së drejtës, zhvillimi i zgjedhjeve të rregullta është zgjidhja kryesore për krizën aktuale. Nevojiten masa të forta për të zhdukur problemin e drogës, fitimet që vijnë nga trafiku i drogës janë shumë më të larta në Shqipëri sa i përket dimensioneve të ekonomisë sonë sesa në vendet më të mëdha si Italia apo Gjermania”.

Sa për debatin që kanë ngjallur deklaratat e presidentit ku denonconte influencat e Sorosit në Shqipëri, kreu i shtetit përsëriti se Shqipëria duhet të mbrojë interesat kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë.

“Unë nuk jam një populist, por një realist që dëshiron të mbrojë Shqipërinë”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!