Presidenti italian Matarela mbyll konsultimet, kërkon aleancë me PD

schedule19:34 - 22 Gusht, 2019

schedule 19:34 - 22 Gusht, 2019

Në Itali janë mbyllur pasditen e së enjtes konsultimet e presidentit të Republikës, Serxho Matarela me krerët e partive politike, për të gjetur një zgjidhje mbi krizën që ka përfshirë vendin fqinje.

I fundit që vizitoi selinë presidenciale në Romë ishte kreu i Lëvizjes 5 Yjet, Luixhi Di Maio, i cili u shpreh në favor të krijimit të një mazhorance të re dhe solide për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Të mos e lëmë anijen të mbytet. Jemi të gjithë italianë dhe duhet t’i lëmë mënjanë interesat”, deklaroi Di Maio.

5 Yjet përflitet se mund të arrijnë një marrëveshje me krerët e Partisë Demokratike, të cilët në rast të kundërt kërkojnë që të mos vonohen zgjedhjet.

Më herët gjatë ditës, në Kuirinale ishte kryetari i Ligës së Veriut, Mateo Salvini, i cili pas takimit kokë më kokë me kreun e shtetit u shpreh i gatshëm të rifillojë bashkëpunimin me ish-partnerët e tij.

Jemi gati të rifillojmë nga puna pa i mbajtur mëri njëri-tjetrit. Ndryshe, le të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Salvini.

Ndërkohë, në debatet politike u përfshi edhe ish-kryeministri Silvio Berluskoni, i cili deklaroi se partia e tij nuk do të bëjë aleanca me parti që më parë e braktisën.

Ose një qeveri e qendrës së djathtë, ose në zgjedhje”, tha Berluskoni.

Pritet që orët në vazhdim të jenë vendimtare për Italinë, e cila ndodhet në një moment kritik./ABC News Albania 24/7