Presidenti i ri, Mediu: Opozita të negociojë si një trupë e vetme

schedule11:41 - 19 Prill, 2022

schedule 11:41 - 19 Prill, 2022

Fatmir Mediu, nën cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim ka propozuar që opozita të negociojë si një trupë e vetme për presidentin e ri. Mediu ka kërkuar që të shmanget zgjedhje e njëanshme e kreut të shtetit dhe të ketë konsensus.

Për një president mbi palët, ai thotë se e rëndësishme është që të respektohen kriteret, ndërsa shprehu preferencën për fushën politike dhe atë akademike.

“Është e nevojshme që konsensusi të synojë procesin dhe jo ndarjen. Në emër të grupit aleanca për Ndryshim propozoj opozita ka detyrim të ofrojë një proces konsensual. Të negociojë si një trupë e vetme. Kjo ka qenë edhe praktika që ne kemi zgjedhur. E dyta, është e rëndësishme që në këtë negociata të përcaktohen kritere që të garantojë një president mbi palët. Nga fusha politike dhe akademike do të ishte një bazë e mirë”, tha Mediu në një konferencë për shtyp.

I pyetur se çfarë do të bënte ai nëse Enkelejd Alibeaj refuzon të ulet në tryezë me socialistët, Mediu thotë: “Këtë qëndrim që parashtrova ia kam bërë prezent edhe zotit Alibeaj. Kriteri nuk është kush negocion, por çfarë negociojmë. Duke nisur nga praktikat e mëparshme ne të kemi një trupë të përbashkët.”

Do të negocionte me grupin e Rithemelimit apo me Alibeajn?  “Nuk do të diskutojmë problemet e brendshme që kemi, por përgjegjësia duhet të jetë më e madhe. Duhet të diskutojmë me mazhorancën për të përcaktuar emrin e presidentit të ri. Duhet një presidenti mbi palët politike. Është e nevojshme që procesi të synojë konsensusin. Të gjithë duhet të mendojmë përtej interesit imediat. Ne të gjithë duhet të përfshihemi në proces nëse PS zgjedh në mënyrë të njëanshme atëherë është përgjegjësia e saj”, deklaroi Mediu. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!