Kosova nuk është si Siria ndaj nuk ka nevojë për përfshirjen e faktorëve globalë e aq më shumë të Rusisë. Ka qenë kjo deklratat e presidentit kosovar, Hashim Thaçi, duke shtuar se Kosova është një çështje europiane.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se Kosova nuk është Siria dhe nuk ka nevojë për përfshirjen e faktorëve globalë. Sipas Thaçit, Kosova është një çështje europiane. Kreu i shtetit kosovar reagoi në këtë mënyrë pas vullnetit të Rusisë për të marrë pjesë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Por mediat serbe shkruajnë se në të njëjtën kohë Thaçi ka kërkuar një ndërhyrje më direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë dialog. Ai theksoi se domosdoshmëria e një pale të tretë për të ndërhyrë në dialogun me Beogradin është më se e dukshme.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë vizitës së tij në Moskë i kërkoi homologut rus, Vladimir Putin, nëse do të donte të ishte pjesë e dialogut me Kosovën dhe sipas raportimit të mediave ruse dhe serbe, përgjigja ishte pozitive. Kërkesa e Vuçiç u bë pasi zyrtarë nga Prishtina deklaruan se donin që Uashingtoni të ishte pjesë e negociatave./abcnews.al