Të dielën e 25 prillit 2021 qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur ligjvënësit që do t’i qeverisin në katër vitin e ardhshëm.
Presidentit të Republikës, Ilir Meta iu deshën vetëm 24 orë për të përcaktuar datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, pas konsultave që zhvilloi të premten me përfaqësuesit e maxhorancës dhe koalicionin opozitar.
Me vendimin për të dekretuar 25 prillin, Meta vendosi të dekretojë datën e dytë që i mundësonte Kodi Zgjedhor. Përfaqësuesit e opozitës propozuan 18 prillin si datë të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme, ofertë e cila përfaqësonte edhe kërkesën e vazhdueshme të tyre për zgjedhje në datën sa më të afërt.
Përfaqësuesit e shumicës, përmes Taulant Ballës kishin shprehur si datë të parapëlqyer për zgjedhjet e ardhshme 9 majin, ndërkohë që e diela e vetme që u kërkua të shmangej ishte ajo 2 majit, e cila e përkonte me ditën kur besimtarët e krishterë festonin Pashkët.
Me një datë të përcaktuar për zgjedhjet e ardhshme, partitë politike mund të ndezin zyrtarisht motorët elektoralë për të përgatitur strukturat për zgjedhjet e ardhshme.
E vetmja pikë që do t’i bëjë bashkë palët është tryeza e Këshillit Politik, në të cilët do të vendoset mbi ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor për hapjen e listave dhe formimin e koalicioneve zgjedhore.
D E K R E T
PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN
Në mbështetje të nenit 65, pikat 1 dhe 2, 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 8, 9, pikat 1 dhe 4 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe pas konsultimit me partitë politike mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë,
D e k r e t o j:
Neni 1
Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 prill 2021.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekreti 11700
Tiranë, më 06.09.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
abcnews.al/