“Prej 1 viti jeton në barakë”, qytetari: Kam frikë se s’do ma bëjnë shtëpinë

schedule09:45 - 8 Shtator, 2020

schedule 09:45 - 8 Shtator, 2020

Njësia Administrative nr 6 në Kombinat ishte një nga zonat më të prekura në Tiranë, nga të dy tërmetet të shtatorit dhe nëntorit 2019.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ishte në familjen e Nikë Prendit të cilit shtëpia i është shkatërruar plotësisht që në tërmetin e parë, në 21 shtator.

Ende sot ai banon në një barakë të cilën e ka ndërtuar me dërrasa që i kanë falur komshinjtë.

Edhe pse ai bashkë me bashkëshorten janë dy të moshuar të sëmurë dhe me ilaçe, jetojnë në kushte të vështira.

Nikë Prendi thotë se i ka humbur shpresat tek shteti pasi ka 1 vit që endet dyerve të Bashkisë, por askush nuk i ka ardhur në ndihmë.

Pjesë nga bashkëbisedimi i qytetarit Nikë Prendi me Zëdhënësen e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Nikë Prendi: Unë jam Nikë Prendi, që në shtator më është prishur shtëpia nga tërmeti dhe kërkoj ndihmë nga shteti që të më ndihmojë.

Ina Zhupa: E pabanushme?

Nikë Prendi: Shtëpia e pabanueshme, atje kam jetuar gjithë jetën.

Ina Zhupa: Po, a ju kanë ndihmuar, ju kanë sjellë ndihma, ju kanë dhënë bonus?

Nikë Prendi: Vetëm më kanë pru njëherë ndihma, ai i bashkisë.

Ina Zhupa: Po bonusin përsa i përket rregullimit të shtëpisë?

Nikë Prendi: Bonusin jo akoma.

Ina Zhupa: Ku jeton tani ti?

Nikë Prendi: Ja këtu banoj.

“Unë gatuaj këtu me bombol gazi kur është nxehtë, mbrapa do ndezi sobën.  Krevatin aty, rrobat i kam atje përtej. Drutë janë jashtë, ça të bëjmë kështu është. Shtëpia ra përdhe, ku të shkojmë”, shprehet bashkëshortja e Nikë Prendit.

Ina Zhupa: Këtë barakën ku e ke gjetur?

Nikë Prendi: Këtu, kam blerë dërrasat edhe më kanë dhënë komshinjtë, më kanë falur pak.

Ina Zhupa: Shtëpia juaj ndërkohë është e pabanueshme?

Nikë Prendi: Është e pabanueshme, nuk jetohet brenda.

Ina Zhupa: Po çadër ju ka dhënë bashkia?

Nikë Prendi: Kam shkuar 50 herë te Bashkia, te emergjencat dhe nuk më ka ndihmuar njeri. Më njohin të gjithë atje, i kam bezdisur.

Ina Zhupa: Çfarë ju kanë thënë për shtëpinë? Do shembet?

Nikë Prendi: Do e bëjmë, do e bëjmë. I kam bërë letrat unë, por tani nuk e di.

Ina Zhupa: Deri tani nuk keni marrë lekë për të rindërtuar shtëpinë tuaj me fondet e rindërtimit?

Nikë Prendi: Jo, jo asgjë! Akoma jo! Ne presim nga shteti, por nuk ka shtet këtu. Unë kam frikë, kam frikë se s’do ma bëjnë shtëpinë.

/abcnews.al/