Precedentët e grabitjeve të parave në Rinas dhe të bankave

schedule22:17 - 9 Prill, 2019

schedule 22:17 - 9 Prill, 2019

Kjo nuk është grabitja e parë që ndodh në Rinas, dhe as e vetmja grabitje e parave të bankave. Aeroporti ndërkombetar u sulmua nga grabitësit edhe 3 vite më parë.

Në 30 qershor 2016, një grabitje e ngjashme ka ndodhur sërish brenda pistës së avionëve në aeroportin e Rinasit. Tre persona hynë me makinë pasi kanë prerë menteshat e portës së jashtme të rrethimit të aeroportit. Të maskuar dhe të armatosur ata kërcënuan me armë rojet private të aeroportit dhe grabitën një sasi 3-4 milionë euro. Automjeti i grabitësve është gjetur më pas i djegur në afërsi të aeroportit.

Por paratë e bankave kanë rënë edhe më herët pre e grabitësve. Në 13 shkurt 2015 në një bankë pranë ish-Stacionit të Trenit në kryeqytet, pjesëtarë të një bande kriminale, nën kërcënimin e armëve, iu morën punonjësve të policisë private thasët me 2 milionë euro vlerë monetare në momentin që po i ngarkonin në një autoblindë për t’i transportuar drejt Rinasit.

Disa muaj më vonë, në dhjetor 2015 në segmentin rrugor Kthesa e Kasharit- Rinas, u grabitën gati 3.8 milionë euro. Të  armatosur, të maskuar dhe me uniforma të ngjashme me ato të policisë, grabitësit i prenë rrugën makinës me para, neutralizuan punonjësit e sigurisë dhe u larguan bashkë me thasët e parave.

Përmes të njëjtit mekanizëm u realizua në 9 shkurt 2017 një tjetër grabitje parash në të njëjtin aks rrugor. Në këtë rast autorët morën rreth 3.2 milionë euro. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!