Pranonte ryshfet për të favorizuar blegtorë që të përfitojnë subvencione, arrestohet inspektori i AZHBR-së në Korçë

schedule10:56 - 28 Qershor, 2022

schedule 10:56 - 28 Qershor, 2022

Inspektori i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor Rural në Korçë është vënë në pranga ditën e sotme pas një hetimi tremujor për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kryer kundër veprimtarisë shtetërore nga personat që ushtrojnë funksione publike.

Bëhet e ditur se Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, me finalizimin e operacionit të koduar policor “Subvencioni”, vunë në pranga inspektorin e AZHBR-së, A. P., 35 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll si dhe një blegtor që i ka dhënë ryshfet Sh. Z., 38 vjeç, banues në Ersekë.

Ata u kapën në flagrancë në momentin kur blegtori po i ofronte inspektorit 90 mijë lekë të vjetra ryshfet me qëllim që të përfitonte në mënyrë të parregullt, nga skema mbështetëse, shumën 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera rezulton se inspektori A. P., duke shfrytëzuar detyrën, ka favorizuar edhe disa fermerë të tjerë, që të përfitonin nga skema e subvencioneve mbështetëse, shuma më të mëdha monetare, në kundërshtim me ligjin, duke iu kërkuar atyre ryshfet nga 50.000 deri në 100.000 lekë.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 90.000 lekë, që dyshohet se i ka pranuar si ryshfet nga 38-vjeçari. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!