Porti i ri i Durrësit, Rama: Kapaciteti i përpunimit rritet trefish, do ndërtohet me standardet më të larta

schedule12:20 - 12 Dhjetor, 2022

schedule 12:20 - 12 Dhjetor, 2022

Kryeministri Edi Rama ka thënë se porti i ri i Durrësit do të ndërtohet me standardet më të larta të profesionalizmit dhe do të bëhet transparencë e plotë.

Gjatë prezantimit të projektit, Rama tha se porti aktual tregtar do të kthehet në një port turistik me garancinë që do të jetë gati një port i ri tregtar.

Ai tha se kontratat janë të garantuara 100% dhe asnjë subjekt nuk do të pengohet të vazhdojë operimin.

“Ky projekt do të jetë projekti me standardet më të larta të profesionalizmit në ndërtim dhe me të tilla standarde në procesin e transparencës. Porti i ri tregtar faktikisht që në fazën e parë rrit trefish kapacitetin e përpunimit, gjë që është e pamundur me portin ekzistues dhe për të gjithë ata që i hyjnë një polemike absurde, të qëllimshme politikisht dhe kur politika shtrembëron faktet, ja ku jemi sot për të thënë që ne jo vetëm nuk u nisëm që të mbyllim portin tregtar për të bërë një port turistik, por kishim garancinë e plotë që do kishim gati portin e ri tregtar dhe ta bënim portin ekzistues port turistik.

Të dyja projektet janë të fazuara në mënyrë të tillë që të harmonizohet projekti i portit turistik me portin tregtar. Kontratat janë të garantuara 100% thjesht do të ketë spostime nga një vend në një vend tjetër, por nuk do pengohet asnjë subjekt që do dojë të vazhdojë operimin. Siç e patë, nga studimi i kompanisë, faza e parë është 390 milionë euro, një shifër absolutisht e arsyeshme, ku 46% të vlerës do e kontribuojë qeveria e Shqipërisë dhe 54% kompania private”, tha Rama. /abcnews.al