Politikat katastrofike të Perëndimit ndaj Rusisë dhe Turqisë

schedule11:20 - 24 Maj, 2022

schedule 11:20 - 24 Maj, 2022

Nga Cengiz Aktar “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Pavarësisht se sa të çuditshme mund të jenë zgjedhjet strategjike të Turqisë, si një vend anëtar i NATO-s, Perëndimi po vazhdon të bëjë “biznes si zakonisht” me Ankaranë. Fuqitë perëndimore e justifikojnë edhe një herë sjelljen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, me mirëkuptimin e “shqetësimeve legjitime të sigurisë” që ka Turqia, të cilat barazohen shpesh me lejen për të vrarë.

Por duke e toleruar atë për hir të “mbajtjes” së Turqisë brenda NATO-s, ata po harrojnë faktin që udhëheqësi turk nuk është dhe aq i ndryshëm nga presidenti rus Vladimir Putin, dhe se politika e tolerancës thjesht nuk do të funksionojë me të.

Gjatë zhvillimit të luftës në Ukrainë, Turqia është lejuar të luajë lojën e saj të dyfishtë, duke vazhduar të vërë kundër njëri-tjetrit Rusinë dhe Perëndimin, duke i shitur nga njëra anë dronë ushtarakë Kievit, që në fakt ishin porositur që para sulmit të 24 shkurtit, dhe duke shpërfillur nga ana tjetër sanksionet e aleancës kundër Moskës, apo edhe kundërshtuar së fundmi kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Por ndërsa ofertat e kota për të ndërmjetësuar arritjen e paqes midis rusëve dhe ukrainasve nga presidenti turk, e kanë “bindur” Perëndimin mbi “vlerën strategjike” të Ankarasë, Erdogan – “diktatori që na duhet”, siç është shprehur publikisht kryeministrin italian Mario Draghi – është rikthyer sërish në skenën globale.

Edhe administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka filluar të lobojë tek ligjvënësit amerikanë për të rënë dakord mbi pezullimin e vendimit të mëparshëm dhe dorëzimin tek Ankaraja të avionëve luftarakë.

Megjithatë, ngjashmëritë e sotme midis Rusisë dhe Turqisë sot, si dhe udhëheqësit autoritarë që i kanë formësuar ato, nxjerrin në pah një paralele të dukshme dhe ogurzezë, që duhet theksuar nga udhëheqësit  perëndimorë.

Në krye të listës së ankesave të qytetarëve në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, janë sistemet që kanë krijuar Erdogan dhe Putin, duke mos respektuar aspak sundimin e ligjit, dhe duke e zëvendësuar atë me sundimin e një njeriu. Pasi që të dy e kanë rrethuar veten nga oligarkë dhe zyrtarë servilë, që dinë të thonë vetëm “po”.

Të dy vendet janë jodemokratike, zgjedhjet e tyre nuk janë as të lira dhe as të ndershme, regjimet e tyre propagandojnë narrativat dhe ndjekin veprime që janë irredentiste, revizioniste dhe luftarake. Si në Rusi, ashtu edhe në Turqi, opozita – ose  më saktë ajo që ka mbetur prej saj – përndiqet dhe shtypet në mënyrë sistematike, liderët e saj sulmohen ose burgosen, si në rastet e Alexei Navalny dhe Selahattin Demirtaş.

Dhe ka ende turma të mëdha, të cilat mbështesin në mënyrë të pamatur regjimet “e tyre”.  Në Evropë, Gjermania ka luajtur një rol qendror në qasjen e butë ndaj këtyre diktatorëve gjatë viteve të fundit. Dhe ndërsa elita ka nisur njëfarë ndryshimi të ndrojtur mbi politikën e saj ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, ajo mbetet ende lidhur me qasjen e butë ndaj Turqisë.

Gjatë kohës që ishte në detyrë, ish-kancelarja Angela Merkel lidhi një “Pakt Faustian” me Erdoganin, duke kryer plot 10 vizita në Turqi – 3 vetëm në vitin 2016, kur vendi ishte i dërrmuar politikisht dhe moralisht – duke vendosur një rekord midis udhëheqësve perëndimorë.

Dhe ndërsa Merkel vazhdoi ta vizitonte dhe ta mirëpriste Erdoganin në Gjermani, as sjelljet e tij autoritare në shtëpi, as lëvizjet agresive të Turqisë në Mesdheun Lindor, Irak, Libi dhe Siri apo sponsorizimi i dokumentuar nga OKB i terrorizmin xhihadist, nuk u zbehën.

E megjithatë, asnjë nga këto shkelje nuk e pengoi mbështetjen e pakushtëzuar të Merkel, duke përfshirë atë të shitjes së armëve, ashtu si me Rusinë. Që nga viti 2015, Bashkimi Evropian ka ndjekur këtë politikë tolerance të iniciuar dhe udhëhequr nga Merkel.

Dhe deklaratat pro-BE nga Ankaraja, retorika e saj boshe mbi reformat, dhe tërheqjet taktike nga konfrontimi, merren sistematikisht si të mirëqena nga boshti pro-Ankarasë në Perëndim. Kjo axhendë cinike, nxitet nga frika e humbjes së “Turqisë partnere të NATO-s”, dhe hedhjes së saj në krahët e Rusisë.

Përveç kësaj, evropianët kanë shmangur rrezikimin e interesave të tyre ekonomike në Turqi, dhe kanë frikë të vënë në rrezik marrëveshjen e tyre me Ankaranë mbi refugjatët sirianë dhe jo vetëm. Po ashtu ata kanë qenë të tmerruar se mos bëjnë ndonjë gjë, që mund të shkaktojë një kaos social, pavarësisht faktit se qasja tolerante nuk është përgjigja e duhur për asnjë nga këto ankthe.

Sa më shumë butë që të sillen BE-ja dhe Perëndimi me Turqinë, aq më shumë arrogant bëhet Erdogan para Perëndimit, dhe aq më shumë i pafytyrë dhe më i rrezikshëm për të tjerët. Tamam si Putin. Ekziston një ngjashmëri e madhe midis arrogancës ruse ndaj ukrainasve dhe qëndrimit të lartë turk ndaj kurdëve.

Ankaraja shënjestron çdo gjë që tingëllon ose duket kurde, brenda ose jashtë vendit. Dhe si Erdogan ashtu edhe Putin, e shohin si misionin e tyre historik “civilizimin” e  këtyre kombeve që “janë aktualisht “nën standardet e kërkuara”, dhe “jo-ekzistente” për të mbrojtur të drejtën e tyre për vetëmbrojtje.

Po ashtu ndërmarrin sulme parandaluese, përkatësisht kundër nazistëve dhe terroristëve, për të cilët thonë se kërcënojnë ta sulmojnë Rusinë apo Turqinë “paqedashëse”. Kur flitet për rregullat e “luftës” – një term i ndaluar të përmendet në të dyja vendet – të dyja ushtritë ia kalojnë të tjerëve krimet e luftës kundër civilëve.

Putin synon magazinat e grurit të Ukrainës; Erdogan vjedh vajin e ullirit të kurdëve sirianë; dhe që të dy u kanë ndërprerë furnizimin me ujë armiqve të tyre. Zhvendosja e detyruar dhe spastrimi etnik, kanë qenë një praktikë e zakonshme në të dyja vendet.

Në Sirinë Veriore të pushtuar nga turqit, gjuha kurde është e ndaluar në institucionet dhe shkollat ​​zyrtare, dhe është zëvendësuar me turqishten, njësoj si në tokën e pushtuar ukrainase, ku rusishtja e ka zëvendësuar gjuhën ukrainase dhe atë turko-tatare.

Pavarësisht nga pasojat katastrofike të politikës së tij ndaj Rusisë para pushtimit, Perëndimi vazhdon të ruajë iluzionet e veta në lidhje me Turqinë e Erdogan. Ata që mbrojnë qasjen tolerante nuk arrijnë të kuptojnë se standardet, vlerat dhe parimet perëndimore, janë pengesa për funksionimin e këtyre regjimeve. Prandaj me udhëheqës të tillë, nuk duhet të sillemi përmes qasjeve të bazuara në vlera dhe rregulla. Ata duhet të trajtohen ashtu siç janë, si kërcënime për sigurinë. /abcnews.al

Shënim:Cengiz Aktar, profesor i shkencave politike në Universitetin e Athinës. Libri i tij i fundit “Sëmundja turke” është botuar në Londër.