Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në fshatin Jabukë të komunës së Zubin Potokut, pranë kufirit me Serbinë, ka të dhëna se mund të ekzistojë edhe një tjetër vendndodhje ku janë groposur dhjetëra trupa.
Megjithatë, vetëm analizat e ADN-së do të përcaktojnë fillimisht nëse mbetjet e gjetura janë njerëzore, ndërsa Prokuroria ndodhet në terren për të verifikuar nëse ato u përkasin viktimave të luftës.
Identifikimi i këtij lokacioni u bë ndërkohë që në këtë komunë veriore po vazhdojnë gërmimet pas gjetjes së mbetjeve njerëzore në fshatin Kalludër e Vogël, të cilat dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999, të njohur si grupi i “23 intelektualëve të Mitrovicës”.
Të dielën, autoritetet njoftuan se kanë arrestuar edhe një të dyshuar tjetër në lidhje me rastin në Zubin Potok. Ai është personi i tretë i arrestuar për këtë rast, pas ndalimit të dy të dyshuarve të tjerë serbë.
Sipas Policisë, edhe ky person ka qenë ish-pjesëtar i milicisë serbe. Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël dhe zbulimi i mundshëm i mbetjeve të tjera mortore në Jabukë janë rezultat i një hetimi që ka zgjatur rreth dy vjet.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit.
Serbia deri më tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të të dhënave.


