Policia vijon thirrjen ndaj qytetarëve: Mos u mashtroni nga mesazhet me emërtimet e institucioneve

schedule20:10 - 22 Janar, 2024

schedule 20:10 - 22 Janar, 2024

Policia e Shtetit vijon thirrjen për të gjithë qytetarët shqiptarë, që të mos mashtrohen nga mesazhet që i vijnë në celular, të cilat mund t’i joshin financiarisht.

Përmes një njoftimi, blutë theksojnë se duhen bërë kujdes me mesazhet që kanë emërtimet e institucioneve të ndryshme shqiptare, siç është rasti nga një adresë joreale e Postës Shqiptare.

Në rast se tashmë keni dërguar të dhënat tuaja personale, policia ju fton të paraqiteni në zyrat e saj.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Në vijim të njoftimit të ditës së djeshme, të strukturave të Hetimit të Krimeve Kibernerike, i cili bënte fjalë për mesazhe (iMessage), që iu dërgohen nga adresa të ndryshme iCloud, përdoruesve të Apple, ju informojmë se:

Autorët që dërgojnë këto mesazhe, për të fituar besueshmëri, përdorin emërtimet e institucioneve të ndryshme shqiptare, siç është rasti i fundit i konstatuar, nga një adresë joreale e Postës Shqiptare.

Në asnjë rast mos klikoni dhe mos plotësoni formularë, pa u siguruar që faqja nga e cila jeni kontaktuar, është faqja zyrtare e institucionit.

Nëse ju ka ardhur një mesazh i tillë dhe ju keni shpërndarë të dhënat tuaja personale apo nëse jeni mashtruar nga një aktivitet i tillë, ju ftojmë të paraqiteni pranë zyrave tona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!