Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, baza ligjore për vendosjen e forcave të Policisë Ushtarake jashtë aeroportit të Rinasit, gjendet në ligjin për Policinë Ushtarake si dhe në një marrëveshje të Shqipërisë me NATO-n, ratifikuar me ligj në Kuvendin e Shqipërisë.
Vendosja e Policisë Ushtarake në perimetrin e jashtëm të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, pas grabitjes së ndodhur të martën, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes bazohet në dy ligje.
I pari është ligji nr 13/2015 për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe i dyti është ligji Nr. 8543, datë 4.11.1999 “për ratifikimin e marrëveshjes dhe të shtesës së saj, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe NATO-s për statusin e NATO-s dhe të personelit të saj”.
Konkretisht në nenin 2 të ligjit për Policinë Ushtarake thuhet:
“Misioni i Policisë Ushtarake është ruajtja e rendit ushtarak, garantimi i zbatimit të ligjit nga veprimtaritë e kundërligjshme në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, mbrojtja e jetës së personelit, mbrojtja e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, angazhimi në luftën kundër terrorizmit dhe pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse e humanitare”.
Pikërisht aeroporti i Rinasit, gati gjysma e të cilit është infrastruktura ushtarake e një vendi anëtar të NATO-s, ku ulen dhe ngrihen avionë ushtarake dhe shumë pranë të cilit është Komanda e Forcave Ajrore, konsiderohet si pronë shtetërore në përdorim nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura. Ndaj ruajtja e sigurisë në këtë territor është në misionin e parashikuar me ligj të Policisë Ushtarake.
Po ashtu, në nenin 7 të të njëjtit ligj të vitit 2015 për Policinë Ushtarake, që përcakton fushën e veprimit të Policisë Ushtarake, saktësohet:
“Veprimtaria e Policisë Ushtarake ushtrohet mbi të gjitha subjektet ushtarake e civile, vendase dhe të huaja, me ose pa shtetësi, të cilat, me veprimet e tyre, cenojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë brenda e jashtë vendit dhe mbështetet në dispozitat e këtij ligji dhe në legjislacionin në fuqi”.
Vendosja e Policisë Ushtarake për garantimin e sigurisë në perimetrin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, sipas të njëjtave burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, bazohet edhe në piken 11 të marrëveshjes mes NATO-s dhe Shqipërisë si vend anëtar, ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë në 4 Nëntor 1999.
“NATO-s i garantohet përdorimi i aeroporteve, rrugëve, hekurudhave dhe porteve”.
Rasti i përsëritur i hyrjes së personave të armatosur dhe grabitjes brenda pistës së avionëve në Rinas, sipas të njëjtave burime, bëri të domosdoshëm vendimin për patrullimin e rrethimit të aeroportit nga forca dhe mjete të Policisë Ushtarake, pikërisht për të garantuar sigurinë e këtij objekti të rëndësisë së veçantë, në një vend anëtar të Aleancës Ushtarake të Atlantikut të Veriut./abcnews.al