Policia Tiranë finalizon dy operacione anti-drogë: Sekuestrohen 160 paketime drogë, 2 në pranga

schedule19:38 - 26 Prill, 2022

schedule 19:38 - 26 Prill, 2022

Në një konferencë për mediat, drejtori i policisë Tiranë, Lorenc Panganika bëri të ditura detaje rreth dy operacioneve policore anti-drogë të realizuara në Tiranë, të koduara “Çokollata” dhe “Tujani”.

Njoftohet se pas një hetimi disaditor, shërbimet e policisë kanë kryer kontrolle në rrugën “Rexhep Tarja”, në banesën në pronësi të Sami Qordes. Gjatë kontrollit, bëhet e ditur se është gjetur dhe u sekuestruan rreth 160 paketime me lëndë të dyshuar narkotike, të përpunuar në formën e çokollatës, me peshë totale 48.5 kilogramë.

Në vijim të kontrollit është gjetur dhe një armë gjahu pa leje, e cila është sekuestruar, së bashku me një automjet në përdorim të Qordes dhe dy aparate celulare. 43-vjeçari është vënë në pranga bashkë me djalin e tij 19-vjeçar Kevin Qordja për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Menjëherë pas operacionit të koduar “Çokollata”, bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi disaditor, është organizuar dhe finalizuar operacioni i dytë antidrogë, i koduar “Tujani”.

Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Tujanit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit 31-vjeçarin Ramazan Qordja ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 gramë lëndë të dyshuar narkotike të dyshuar heroinë, një armë gjahu, peshore elektronike dhe një aparat celular.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se babë e bir kultivonin dhe prodhonin narkotikë  duke e përpunuar lëndën narkotike kanabis në formë çokollate, të cilën më pas e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.

Po nga hetimet ka rezultuar se Ramazan Qordja merrej me shitjen e heroinës, në doza  në zonën e Tufinës, në Babrru dhe në rrugën “Myslym Keta”. Në bashkëpunim me persona të tjerë, 31-vjeçari pasi siguronte lëndë narkotike heroinë, në sasi 1-2 kg, e ndante në doza dhe më pas e shiste. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!