Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore dhe ato me fluks të lartë qarkullimi, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Sipas bilancit të javës së fundit, janë konstatuar 12 505 shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa janë evidentuar 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, për të cilat autorët janë arrestuar ose proceduar penalisht.
Një drejtues mjeti është proceduar penalisht pasi tentoi të korruptonte një punonjës të Policisë Rrugore, duke i ofruar 2 000 lekë të rinj për të shmangur masën administrative, pasi ishte konstatuar duke drejtuar automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.
Gjatë kontrolleve janë vendosur gjithashtu 74 masa administrative për mospozicionim të rregullt në karrexhatë, 12 masa ndaj drejtuesve që drejtonin automjetin nën efektin e alkoolit, si dhe janë zhvendosur me mjet ngritës 31 automjete të parkuara ose të ndaluara në kundërshtim me Kodin Rrugor.
Po ashtu, Policia Rrugore ka vendosur 1 562 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe mosmbajtje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
Policia Rrugore u bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi dhe të tregojnë përgjegjshmëri për garantimin e sigurisë rrugore.


