Policia rrugore shkel ligjin, makina të aksidentuara parkohen në rrugë, para komisariatit

schedule16:24 - 22 Nëntor, 2020

schedule 16:24 - 22 Nëntor, 2020

Nga Xhensila Kodra

Prej muajsh, mbi 10 makina të përfshira në aksidente të rënda qëndrojnë të parkuara para ambienteve të Policisë Rrugore në Tiranë, duke u kthyer kështu në një shqetësim edhe për banorët e zonës.

Të shkatërruara thuajse totalisht, këto mjete janë përfshirë në aksidente që kanë lënë persona të plagosur rëndë, apo edhe viktima. ABC mëson se duke mos pasur një vend të posaçëm se ku mund të grumbullohen ato vendosen pranë kësaj godine.

Banorë të zonës shprehen se këto makina nuk mund të qëndrojnë aty, për shkak se është edhe zonë e banuar.  “Nuk na e kënaqin syrin por na e ngacmojnë syrin. Pse mbahen këtu, pse është policia s’ka pse ti mbajnë këtu makinat e prishura”, shkrehet një qytetar.

Siç pasqyrohet edhe në tabelë, në dispozicion të Policisë Rrugore janë lënë vetëm 5 vende parkimi. Por hapësira që ato kanë zënë është më e lartë.

Kjo makinë që shihni në këto pamje pa 11 muaj që qëndron e parkuar aty, që pas aksidentit të ndodhur më 2 Janar të këtij viti në zonën e Porcelanit. Në atë kohë, si pasojë e përplasjes mes dy mjeteve në vizat e bardha, mbetën të vdekur dy persona, kalimtarë të rastit.

ABC u interesua pranë Policisë Rrugore. Drejtues të saj sqarua se këto mjete mbahen aty me urdhër të prokurorit të çështjes, për shkak se nuk ka përfunduar ende hetimi. Sipas tyre, mjeti do u kthehet pronarëve apo familjarëve vetëm pasi të lëshohet urdhri nga prokurori.

E njëjta situatë paraqitet edhe në komisariatin numër 3. Disa makina të dëmtuara qëndrojnë të parkuara disa metra larg kësaj godine, duke zënë një pjesë të hapësirës publike që është parking me pagesë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!