Pas përfundimit të sezonit veror Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit publikon bilancet për aksionet kundër-informalitet. Në total u kontrolluan rreth 1760 subjekte dhe u arrestuan 39 administratorë e pronarë objektesh që u gjetën me shkelje.
Rreth 1760 subjekte u kontrolluan në kuadër të aksionit anti-informalitet. Drejtori për Krimet Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi, ka bërë të ditur bilancin e aksionit të gjerë kundër informalitetit që u shtri gjatë verës në disa prej sektorëve kyçë.
Hetimit nuk i kanë shpëtuar punonjës të administratës vendore dhe qëndrore.
“Gjithashtu janë proceduar penalisht 64 zyrtarë të administratës për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, nga të cilët, 42 nëpunës të bashkive, 9 nëpunës të sistemit fiskal, 8 nëpunës të Drejtorive Rajonale të ndryshme, 5 nëpunës të IMT-së. Ndër zyrtarë të administratës janë arrestuar 5 vetë dhe 1 është shpallur në kërkim”.
Aksioni anti-informalitet sipas Minxhozit, pati një impakt edhe te pushuesit që zgjodhën bregdetin Shqiptar. Sipas tij u liruan afërsisht 40 mijë m2 hapësirë publike që ishin zaptuar në mënyrë të jashtëligjshme.
“Në kuadër të goditjes së aktivitetit të paligjshëm të subjekteve që ushtronin aktivitet biznesi të shërbimit pa leje dhe lirimin hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin në zona bregdetare, në shkallë vendi:Janë liruar 55 hapësira publike me sipërfaqe totale rreth 40 mijë m²; -62 subjekte janë proceduar penalisht; -mbi 6,700 shezllone dhe 3,200 çadra janë sekuestruar”.
Në fund Minxhozi theksoi se, fokusi i departatmentet që ai drejton do të jenë mbi subjektet e mëdha konkretisht tek hidrokarburet, në fushën e ndërtimit dhe tregtia e mallrave të akcizës./ABC News Albania 24/7