Policia e Shtetit ndalon Partinë Demokratike të zhvillojë protestën e paralajmëruar të 5 marsit para parlamentit.
Në letrën dërguar selisë blu, Drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj, thotë se tubimi pengon hyrjen në Kuvend të deputetëve dhe vë në rrezik jetën e tyre.
Jo vetëm kaq, por cënon edhe sigurinë kombëtare.
Me këtë arsyetim ndalon zhvillimin e tubimit të kërkuar nga Partia Demokratike.
Për demokratët policia po shkel Kushtetutën duke i kujtuar se në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar policë.
Nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi opozita njofton se nuk do ta anullojë protestën në 5 mars pasi caktimi i vendit të tubimit, është e drejtë kushtetuese e organizatorit dhe drejtuesit të tubimit.
Kjo është arsyeja përse ligji parashikon njoftimin dhe jo kërkesën për leje në rastin e zhvillimit të një tubimi- thuhet në letrën e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi./abcnews.al