Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se ka zbuluar dhe konfiskuar rreth gjysmë milioni euro, përfshirë pajisje për numërimin dhe falsifikimin e parave, kopje të pjesëve të kartëmonedhave, si dhe armë dhe municione, gjatë një aksioni të zhvilluar të hënën.
Në një komunikatë për media, Prokuroria bëri të ditur se aksioni, i koduar “Vardar”, ka rezultuar me arrestimin e dhjetë personave, ndërsa është realizuar në bashkëpunim me Agjencinë Evropiane të Policisë (EUROPOL), me mbështetjen e Eurojust-it – Agjencisë së BE-së për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale – si dhe disa institucione hetimore serbe.
“EUROPOL dhe Projekti i EUROJUST për drejtësinë penale në Ballkanin Perëndimor, mundësuan koordinimin operacional, analizën kritike të inteligjencës dhe ndihmën teknike për realizimin e operacionit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan rreth 500.000 euro, 25.000 dollarë amerikanë, 500 franga zvicerane, 1800 shekela izraelite, 500 kuna kroate, 10.000 lekë, 1.000 krona suedeze dhe 25.000 rubla ruse.
“Janë ekzekutuar 23 urdhra për kontroll në persona dhe banesa dhe janë siguruar prova material”, tha Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, ky aksion është vazhdimësi e operacionit të gushtit të vitit të kaluar, kur autoritetet në Shkup, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe me mbështetjen e Eurojust-it dhe EUROPOL-it, sekuestruan pajisje për falsifikim të monedhave euro, të gatshme dhe gjysmë të gatshme, kallëpe dhe materiale të tjera për prodhim.


