Policia: Dukës iu vendos eksploziv para portës së shtëpisë

schedule23:12 - 24 Janar, 2022

schedule 23:12 - 24 Janar, 2022

Mbrëmjen e sotme presidentit të FSHF-së Armand Duka iu vendos eksploziv në hyrje të shtëpisë në Durrës. Policia e qytetit bregdetar njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:10, në lagjen nr. 4, Durrës.

Po sipas policisë, lënda plasëse ishte vendosur para portës së Armand Dukës. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale në portën e jashtme të banesës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në reagimin e parë për mediat pas ngjarjes, Duka u shpreh se kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur autori ka vendosur dinamitin, por shtoi se nuk ka dyshime se kush mund ta ketë bërë dhe se ia lë në dorë drejtësisë për ta zbardhur.

“Në shtëpi ka qenë familja, djali, gruaja, unë tani erdha. Uroj të jetë rastësi. Nuk ka dëmtime shyqyr, porta është goxha larg nga banesa, shpërthimi ka qenë goxha i madh.

Porta është jashtëpërdorimit, por çfarë rëndësie ka jo. Kamerat i kanë filmimet. Një njeri me kapuç i cili është afruar te porta dhe ka vendosur dinamitin tek mekanizmi që hap portën dhe ka shpërthyer”.

I pyetur nëse ka ndikuar konflikti dhe skandali i audio-përgjimit që u publikua sot nga FSHF-ja, Duka tha se gjithçka ia lë në dorë drejtësisë.

Se di, nuk e kam idenë, shikoni sa policë dhe hetues i keni këtu, këta janë të gjithë të zotë dhe të aftë, dhe maksimumi deri nesër do ta bëjnë të ditur kush e ka vendosur. Këtu nuk ngel krim pa u zbuluar” tha ai.

Por a ka ai dyshime? “Unë jam ekonomist nuk jam polic, kur të bëhem polic do të kem dyshime”.

Në momentin që u njoftua për shpërthimin në Durrës, Erion Veliaj që është në luftë të hapur me Dukën, e cilësoi ngjarjen si “film”, por kreu i FSHF-së, iu përgjigj “Ç’lidhje ka me filmat, Veliaj është mësuar me skenarë”.

/Abcnews.al