Polemika të ashpra në Gjermani pas fitores së Bayern-it në javën e parë të Bundesligës. Gjyqtari dha një penallti të dyshimtë, ndërsa nuk u përdor teknologjia.
Ky moment shkaktoi shumë acarim e nervozizëm. Hoffenheim-i protestoi fort për penalltinë e dhënë për Bayern-in, aq më tepër, një vendim që praktikisht vendosi fatin e ndeshjes së parë të Bundesligës.
Trajneri mik, Nagelsman, nuk ngurroi të reagonte për atë që e quajti një gabim të madh edhe pse nuk ia vuri fajin arbitrit.
“Ku ishte teknologjia, – u shpreh ai tepër i zemëruar pas ndeshjes, – duhej të kishte ndërhyrë në momentin e duhur, jo më pas. Ku ishte VAR-i? Përse nuk u ndihmua arbitri në momentin e penalltisë. Më vjen keq për të. 11-metërshi nuk ishte”.
Trajneri i Bayern-it, Niko Kovaç, u tregua sportiv.
“Nëse do të kisha qenë unë arbitri, nuk do ta kisha dhënë atë penallti, – theksoi kroati, – ndeshja ishte e vështirë, pasi Hoffenheim-i luajti ashtu siç pritej, si një ekip shumë i mirë. Sidoqoftë, mendoj se fitorja jonë ishte e merituar”.
E merituar ajo po, kjo mbetet pa u vërtetuar, pasi një ndeshje fitohet jo nga rastet, por nga dërgimi i topit në rrjetë, dhe në minutën e 82, këtë e bëri Robert Lewandowski për avantazhin e vendasve, 2-1.
U desh madje të gjuhej dy herë, pasi teknologjia tregoi se Arjen Roben gaboi herën e parë. VAR-i po ashtu i hoqi një gol Bayern-it, të tretin në minutën e parafundit, veçse të gjitha këto nuk janë baraz me 11-metërshin.
Kampionët e Gjermanisë kaluan në epërsi në pjesën e parë me anë të Thomas Muller-it, dhe me rezultatin 1-0 shkuan në pushim. Pa kaluar 12 minuta nga pjesa e dytë, miqtë barazuan, veçse nuk e realizuan dot ëndrrën për të marrë të paktën një pikë në Mynih.
Pas penalltisë së Lewandowskit, erdhi edhe goli i tretë shënuar nga Arjen Roben në minutën e parë shtesë./abcnews.al