Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me qytetarët në njësinë nr. 14 në Tiranë, ku në fokus të diskutimit ishin proceset e legalizimeve dhe problematikat e kadastrës.
Rama bëri të ditur se çështja e legalizimeve është trajtuar edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, duke theksuar se procesi mbetet kompleks dhe me sfida të shumta. Sipas tij, aktualisht janë rreth 70 mijë objekte që presin të legalizohen, ndërsa një pjesë e tyre është e pamundur të trajtohet për shkak të kufizimeve ligjore në fuqi.
Kryeministri ngriti shqetësimin për mungesën e drejtësisë në renditjen e aplikimeve, duke sjellë shembullin e qytetarëve që presin prej vitit 2010, ndërkohë që të tjerë me aplikime më të vonshme kanë përfituar më herët. Ai theksoi se nuk do të ketë më trajtim me “blloqe”, por do të vendoset një sistem i ri me kritere të qarta dhe renditje sipas viteve të aplikimit, pa kapërcime.
Sa i përket kadastrës, ai nënvizoi se puna për digjitalizimin e të dhënave është në vijim. Sipas tij, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka aktualisht informacion të shpërndarë në harta fizike, ndërsa deri më tani janë skanuar rreth 54 milionë fletë. Objektivi është që i gjithë procesi i digjitalizimit të përfundojë brenda vitit 2027.
“E kemi bërë si temë diskutimi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS edhe legalizimet dhe kadastra ishin në fokus kësaj radhe. Kemi diskutuar për legalizimet sepse shqetësimin se legalizimet janë një proces shumë i vështirë. Është akoma një numër prej 70 mijë që duhen bërë. Një pjesë për ne është e pamundur për ne, për shkak të ligjit aktual. Një pjesë tjetër duhet bërë. Më e drejta është koha e regjistrimit. Ajo që mua më shqetëson është pse dikush që e pret legalizimin që prej 2010, kurse dikush tjetër që e ka bërë legalizimin në 2018 ta marrë më parë.
Nuk mund të vazhdohet me blloqe. Ajo që kemi kërkuar dhe që do të bëhet, është që do të bëhet një sistem me kritere të qarta dhe me vite, por ama nuk do jetë e mundur që të bëhet kapërcime në sistem. Kjo do të krijojë pak më shumë qartësi për njerëzit. Ne do të krijojmë pak më shumë kapacitet duke përdorur edhe njësitë bashkiake. Puna vazhdon dhe legalizime bëhen përditë. Ne jemi duke digjitalizuar të gjitha hartat. Problemi është që Kadastra e ka informacionin nëpër harta, deri tani janë skanuar 54 milionë fletë. Deri në vitin 2027 do i kemi të gjitha të digjitalizuar”, tha Rama.


