“Po i merr të gjitha”, aleatët e Bashës ndalen në Lezhë

schedule15:35 - 22 Maj, 2019

schedule 15:35 - 22 Maj, 2019

Krerët e pesë partive opozitare aleate të Lulzim Bashës gjatë takimit me mbështetësit në qytetin e Lezhës, pasi i ftuan të jenë pjesëmarrës në protestën e 25 Majit, theksuan arsyet përse kryeministri Rama nuk mund të jetë në krye të qeverisë që do të zhvillojë zgjedhje brenda standardeve demokratike.

Grupimi i Qendrës së Djathtë, pesë aleatët e demokratëve në opozitë, tezat e tyre i artikuluan në Lezhë.

“Ky po i përcakton kundërshtarët vetëm, po regjistron vetë jashtë çdo rregulli, po i voto dhe thotë “Kështu bëhet se kështu dua unë””, tha Duka.

Qeveria kalimtare është rruga e vetme për mos zvarritjen e kësaj krize, sipas tyre, përballë të cilës qëndron alternative opozitare.

“Lulzim Basha si lider i opozitës sot ka një përgjegjësi shumë të madhe. Përveç aksionit opozitar, përveç kauzës për largimin e kryeministrit do japim dhe alternativa bindëse për qytetarët dhe ai tashmë ka filluar ta bëjë një gjë të tillë, të gjithë e shohim”, tha Ndoka.

Precedent për largimin e kryeministrit përpara zgjedhjeve ekziston, kujton Mediu, madje shumë pranë nesh.

“Kemi një precedent rajonal, siç është precedenti i Maqedonisë së Veriut ku u ra dakord për qeverisje tranzitore ku Gruevski nuk ishte kryeministër dhe për të përgatitur zgjedhjet”, tha Mediu.

Arsyeja për këtë është më e qarta për shqiptarët, sipas kreut të LZHK-së.

“Ky ka filluar i ka marrë të gjitha. Ky ka vënë ato emrat e lezetshëm, jo tepsia, jo timoni që të qeshin pak njerëzit, mirëpo ky në fakt u ka futur dorën në xhep njerëzve. Domethënë merr paratë e shtetit publik. Ky ka marrë drejtësinë, ky ka marrë ekonominë, edhe Akademinë e Shkencave. Se për çfarë i duhet Akademia e Shkencave, ka ndonjë peshë për ekonominë? Në këto rrethana bëhen zgjedhjet? Nuk bëhen dot. Ky merr para, media, çfarë zgjedhjesh të bëjmë”, tha Shehi.

Ndaj pjesëmarrja në protestën e së shtunës duhet të jetë tregues i refuzimit të kësaj farse sipas aleatëve të demokratëve.

“Të shtunën ta shumëfishojmë praninë tonë në protestën e madhe të opozitës së bashkuar”, tha Dule./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!