Gazetarja Diellza Berisha, në një intervistë për “Balkan Update” në ABC News, ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë që tronditi Malishevën, ku një 25-vjeçare shtatzënë humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri, ndërsa bashkëshorti i saj mbeti i plagosur rëndë.
Berisha tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, brenda dhomës së gjumit ku jetonte çifti. Sipas saj, dyshimet e para janë se Egzon Bytyqi ka qëlluar bashkëshorten e tij, Jetlira Foniqin, me një plumb në kokë dhe më pas ka plagosur veten.
“Menjëherë pas rastit, babai i tyre, i cili jetonte në të njëjtën shtëpi, kishte lajmëruar policinë”, tha gazetarja, duke shtuar se në vendngjarje kishin mbërritur ekipet policore, hetuesia, prokurori i rastit dhe ekipet mjekësore.
Çifti është transportuar fillimisht nga ekipet mjekësore të QKMF-së së Malishevës dhe më pas është dërguar në Qendrën Emergjente të QKUK-së në Prishtinë.
“Gjatë rrugës ata po luftonin me jetën, meqenëse ende ishin të plagosur të dy në kokë dhe nuk kishin ndërruar jetë”, deklaroi Berisha.
Megjithatë, me të mbërritur në Emergjencën e QKUK-së, 25-vjeçarja ndërroi jetë. Gazetarja bëri të ditur se viktima ishte në javën e 34-të të shtatzënisë dhe nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të rënda në kokë.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj vazhdon të trajtohet në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas Berishës, ai ka plagë hyrëse-dalëse dhe vazhdon të jetë i intubuar.
Duke iu referuar informacioneve jozyrtare, gazetarja tha se dyshimet e para të policisë lidhen me xhelozinë si motiv të mundshëm të krimit, ndërsa dyshohet se çifti kishte pasur probleme kohët e fundit.
Megjithatë, familjarët e të dyshuarit dhe të viktimës kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni për probleme të tilla mes çiftit.
Berisha tregoi gjithashtu se familja e të dyshuarit kishte shkuar në mëngjes te familja e viktimës për t’u kërkuar falje, por familja e 25-vjeçares nuk e kishte pranuar një gjë të tillë, duke e konsideruar ende të hershme një hap të tillë.
Sipas gazetares, çifti kishte qenë i martuar prej rreth një viti e gjysmë deri në dy vjet. I dyshuari kishte jetuar për disa vite në Gjermani dhe pas martesës, edhe viktima kishte lëvizur mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Berisha tha se, bazuar në informacionet e deritanishme, problemet mes çiftit dyshohet se kishin nisur vetëm kohët e fundit, ndërsa familjarët mohojnë se kanë qenë në dijeni për to.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe motivit të mundshëm të krimit janë duke vazhduar.


