Një nga resurset më të mira të Durrësit është Plazhi i Kallmit, i cili vitet e fundit ka joshur shumë pushues të huaj dhe vendas. Por rruga që të çon në Kallm vetëm 3 km larg qytetit është e dëmtuar.
Dikur një zonë e izoluar ushtarake vetëm 3 kilometra nga qendra e Durrësit. Sot plazhi i Kallmit frekuentohet nga shumë pushues e vizitorë. Por kërkesave në rritje vit pas viti nuk i janë përgjigjur projektet e pushtetit vendor për një infrastrukturë më të mirë.
Rruga nuk është prekur nga investimet. Gropat përgjatë gjithë gjatësisë së saj shtohen vazhdimisht. Në disa pika segmenti ngushtohet ndjeshëm për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe bëhet i rrezikshem për t’u kaluar.
Në këtë sezon të ri turistik frekuentuesit e saj do të përballen me një infrastrukturë edhe me të keqe se një vit më parë.
Nga ana e pushtetit vendor nuk janë marrë masa për rehabilitimin e saj edhe pse Kallmi konsiderohet ndër zonat më të bukura dhe piktoreske në bregdetin e Durrësit.
Plazhi i Kallmit i shtrirë në pjesën veriore të qytetit çdo vit pret turistë të shumtë. Këtu ata gjejnë plazhe të vogla gurore të paprekura nga ndërtimet. Ujë më të pastër dhe qetësinë e cila mungon në plazhet masive dhe të rrëmujshme.
Ndaj rehabilitimi i rrugës do të mjaftonte për ta kthyer ndër destinacionet më të frekuentuara për vendas dhe të huaj.
Gazetare: Enkeleda Arapi