Plazhi i Currilave, si po zhduket dashuria e durrsakëve

schedule14:59 - 30 Prill, 2018

schedule 14:59 - 30 Prill, 2018

Deri para viteve ’90, plazhi i Currilave ishte destinacioni i preferuar i durrsakëve për të kaluar nje ditë pushimi, por sot ai po shkon drejt degradimit të plotë. Ndërtimet e shumta deri në brendësi të detit dhe rrëshqitjet e vazhdueshme të kodrës po e çojnë drejt zhdukjes së plotë.

“Dikur plazhi i Currilave kufizohej nga një kodër e gjelbëruar dhe një hapësirë detare e pakushtëzuar në pamje. Por sot, betoni në anë të detit dhe balta në anë të kodrës mbetet e vetmja panoramë”.

I njohur për peisazhin piktoresk dhe ujin e kristaltë, plazhi më i dashur për durrsakët po vdes. Asgjë nuk ka mbetur nga ai i dy dekadave më parë.

Ndërtimet deri në brendësi të detit dhe rreshqitja e vazhdueshme e kodrës i kanë humbur identitetin. Vendin e gjelbërimit  të dikurshën e ka zënë balta, që zbret nga kodra dhe pluhuri. Kurse brezi i rërës është marrë peng nga ndërtimet dhe inertet e shumta të hedhura deri më brendësi të detit.

Siç edhe pamjet e tregojnë qartë, e gjithë vija bregdetare është betonizuar. Bizneset që ushtrojnë aktivitetin kanë përfituar sipërfaqe të mëdha rërë e deti. Inertet e hedhura nga ana e tyre e kane prishur vijën bregdetare. Një situatë kaotike, që sipas pushuesve, nuk ka mbetur asgjë nga plazhi i dikurshëm.

Nga 2 kilometra i shfrytëzuar dikur, sot ka mbetur vetëm një hapësirë prej 500 metrash. Edhe kjo në dorë të privatit. Një territor i pamjaftueshëm përballë kërkesave të pushuesve.

Në këtë katastrofë bashkia e qytetit, Mjedisi, Inspektoriati Kombëtar i Menaxhimit të Territorit dhe një sërë institucionesh të tjera mbeten pasive. Të gjithë heshtin.

“E teksa asnjë institucion nuk mer përsipër përgjegjësinë në kryerjen e detyrave që ligji u ngarkon, vija bregderare e Currilave vazhdon të degradojë”.

Këtu në Currila, ajo që është dëmtuar sot s’kthehet. Por në pamundësi për të zhbërë masakrën urbane ndaj pasurisë së përbashkët, të paktën të ruhen ato pak sipërfaqe plazhi që kanë mbetur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!