Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi, i ftuar në “News Line” në ABC News, tha se strategjia e Donald Trump synon t’i japë fund një herë e mirë ndikimit të Iran në rajonin e Lindja e Mesme.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kërkojnë gjithashtu ndërprerjen e mbështetjes iraniane për Hezbollah, ndërsa çështja e programit balistik mbetet një pikë e ndjeshme për Teheranin.
Krisafi theksoi se, pavarësisht optimizmit të Trump, konflikti nuk është drejt fundit dhe situata në terren pritet të mbetet e tensionuar edhe në javët në vijim.
“Plani i Trump është që të marrë fund një herë e mirë ndikimi i Iranit në Lindjen e Mesme. SHBA kërkon edhe ndalimin e mbështetjes për Hezbollahun. Për iranianët është problem nëse heqin dorë nga programi balistik. Irani nuk është ende në gjendje të dorëzohet në këtë pikë. E vetmja gjë që mund të negocionte është pjesa e programit balistik, numri se sa mund të negociohen.
Struktura e programit bërthamor, është shkatërruar që vitin e kaluar. Ajo që kërkon Trump është që të heqin dorë një herë e mirë nga programi bërthamor dhe të dorëzojnë pasurinë e uraniumit. Nuk mendoj se jemi fundit të këtij konflikti, pavarësisht optimizmit të Trump. Po të mbaronte lufta Trump nuk do të çonte trupa të tjerë në Lindjen e Mesme, nuk janë ushtarë për luftime këmbësorë, por për të mbajtur në mbikëqyrje territorin.
Irani nuk pranon humbjen dhe kushtet, kështu do të duhen edhe disa javë që regjimi në Iran të dobësohet akoma më shumë dhe të marrin në kontroll Iranin. Ndryshimi i regjimit do të ishte një fitore e madhe në Lindjen e Mesme”, u shpreh Krisafi.


