Plagosja në ish-Kinostudio, vëllezërit Mumajesi merren në pyetje

schedule14:39 - 29 Qershor, 2018

schedule 14:39 - 29 Qershor, 2018

Dy ditë pas plagosjes në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, policia ka marrë në pyetje dy vëllezërit Rivelino dhe Juxhin Mumajesi. Hetimet për këtë ngjarje janë përqëndruar në pistën e hakmarrjes për një plagosje të ndodhur vitin e kaluar si dhe në atë të prishjes së pazareve të drogës.

Dy vëllezërit Juxhin dhe Rivelino Mumajesi i thanë grupit hetimor se nuk i njohin personat që qëlluan me armë ndaj tyre dhe se nuk kanë konflikte me askënd. Rivelino Mumajesi, i cili ka marrë një plumb në këmbë, theksoi se nuk kishte arritur t’i shquante fytyrat e personave që qëlluan në drejtim të lokalit pasi ishte errësirë.

“Ne po rrinim tek holli i llotos, pasi po binte edhe pak shi atë natë, teksa afrohet një makinë e zezë që qëllon në drejtimin tonë. Nuk di të them më shumë, pasi mund të jetë edhe një gabim shenjestre, sepse as unë e as vëllai s’kemi konflike me askënd”.

Policia ka marrë në pyetje edhe Juxhin Mumajesin, i cili nuk ka dhënë detaje për ngjarjen. Ai është shprehur para oficerëve të policisë se nuk i ka parë 2 atentatorët dhe nuk e di motivin se pse qëlluan me armë.

Dy vëllezërit Mumajesi ndodhen në spital pasi kanë marrë dëmtime nga plumbi në zonën e gjymtyrëve të poshtme. Ndërsa personi i tretë, i plagosur në ngjarjen e së mërkurës, Ibrahim Durollari, ka kaluar gjendjen kritike dhe shpejt pritet që të merret në pyetje mbi rrethanat e ngjarjes.

Sipas grupit hetimor, Durollari ishte plagosur rastësisht, pasi nuk rezulton të ketë njohje shoqërore me dy vëllezërit Mumajesi. Në pyetje është marrë edhe i arrestuari për këtë ngjarje, Ervis Bano i akuzuar për pengim në zbardhjen e së vërtetës. Ai ka kyçur gojën dhe nuk ka pranuar në asnjë mënyrë të flasë për ngjarjen para bluve të Tiranës.

Pavarësisht pretendimeve të të plagosurve, policia dyshon se ngjarja e rëndë mund të ketë si motiv prishjen e pazareve të drogës. Ndërkohë një pistë tjetër, ku po hetohet është edhe ajo e mosshlyerjes së një borxhi ndaj personave të tretë, kryesisht në fushën e lëndëve narkotike.

Edhe hakmarrja nuk përjashtohet në hetimet për këtë ngjarje. Rivelino Mumajesi, ka qenë i skeduar edhe për një palgosje në vitin 2017, por u lirua pasi ishte akuzuar vetëm për dhënie ndihme ndaj autorëve për t’u larguar nga vendngjarja.

Pas ngjarjes të së mërkurës në rrugën “Aleksandër Moisu” që përfundoi me tre të plagosur, u dëmtuan edhe serveri i pamjeve të sigurisë së lokalit dhe për këtë u vu në pranga edhe Ervis Bano. Hetuesit dyshojnë se, mund të ketë pasur kundërpërgjigje me armë zjarri edhe nga brenda ambienteve të lokalit të basteve në drejtim të personave që hapën zjarr ndaj dy vëllezërve Mumajesi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!