Plagosja e 3 personave në Tiranë, arrestohet 29-vjeçari

schedule11:36 - 28 Qershor, 2018

schedule 11:36 - 28 Qershor, 2018

Tre persona u plagosën gjatë një shkëmbimi zjarri në mesnatë në zonën e ish-Kinostudios, dhe njëri prej tyre është në gjendje kritike për jetën. Policia po heton për ngjarjen dhe vuri në pranga një person që dyshohet se ka dëmtuar pamjet e kamerave të sigurisë së pikës së basteve, ku nisi konflikti.

“Tre persona kanë mbetur të plagosur në zonën e Kinostudios në kryeqytet, ndërsa dyshimet e para të policisë kanë të bëjnë për kontrollin në fushën e narkotikëve të dy grupeve rivale”.

Plagosja e tre personave me armë zjarri në zonën e ish-Kinostudios, ishte një ngjarje e paralajmëruar më herët, pasi konflikti kishte nisur dy ditë më parë. Të plagosur mbetën dy vëllezër, Rivelino e Juxhin Mumajesi si edhe Ibrahim Durollari. Të tre ndodhen në spitalin e Traumës, ndërsa 28-vjeçari Durollari është në gjendje kritike për jetën dhe mbahet në jetë me aparatura.

Uniformat blu shkuan për të sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë, por ai ishte hequr e hedhur në një rrugicë nga persona ende të paidentifikuar. Edhe pse DVR-ja u gjet e dëmtuar, përsëri ekspertët e policisë theksojnë se aty mund të ketë prova të vlefshme që mund t’i shërbejnë hetimit.

Policia vuri në prangaErvis Banon, 29 vjeç, që akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ai dyshohet se ka dëmtuar serverin e kamerave të sigurise së pikës së basteve. Po për plagosjen janë shoqëruar edhe 23 persona të tjerë. Sipas policisë, konflikti fillimisht nisi te ky lokal bastesh e më pas vazhdoi jashtë tij në rrugën “Aleksandër Moisiu”. Në vendngjarje u gjendën 9 gëzhoja, ndërsa ekspertët kriminaliste pohojnë se u qëllua nga dy drejtime të ndryshme.

Fillimisht nga një automjet zbritën dy persona dhe debatuan me disa të tjerë që ndodheshin në një lokal llotoje. Në konflikt e sipër të dy palët qëllojnë në drejtim të njëri-tjetrit, ku i plagosur mbeti edhe shënjestra e atentatit, Rivelino Mumajesi. Ky i fundit ka qenë edhe më herët i skeduar nga uniformat blu për një plagosje të ndodhur në të njëjtën zonë. Por u lirua pasi, ishte akuzuar vetëm për dhënie ndihme ndaj autorëve për t’u larguar nga vendngjarja.

Dyshohet se plagosja e trefishtë mund të ketë ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës, që është edhe një nga pistat e hetimit. Një nga banorët e zonës, i cili kërkon të mos identifikohet, pohon se shpërndarja e drogës kryhet haptazi në blloqet e banimit brenda zonës së ish-Kinostudios.

“Vijnë e japinë këtu, i shesin, i lenë në tokë. Vjen tjetri e merr, ikë, jep lekët. Me fuoristrada vijnë, nga ato të rejat”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!