Gjykata e Kurbinit liron dy nga tre agresorët që plagosën policët Ilir Zekaj e Flamur Lleja, dy ditë më parë në qendër të Mamurasit. “Arrest në burg” u caktua për Nikollë Vorfin, i njohur ndryshe me mbiemrin Fufi. Masa iu komunikua në ambientet e Spitalit Ushtarak ku vijon të marrë trajtim mjekësor, pasi mbeti edhe vetë i plagosur në këmbë, teksa dhunonte efektivët.
Në seancën me dyer të mbyllura, prokurori Arben Nika kërkoi që të caktohej arrest në burg edhe për vëllain e Nikollës, Gjon Fufin dhe të afërmin e tyre Rudolf Fufin. Por, trupa gjykuese rrëzoi këtë kërkesë duke vendosur për ta “detyrim paraqitje”.Gjyqtari Aurel Arapi caktoi po detyrim paraqitje edhe për efektivin David Madani.
Mesditën e 13 prillit, Nikollë, Gjon dhe Rudolf Fufi, të afërm ish deputetit Mhill Fufi, i zunë pritë dy policëve Ilir Zekaj e Flamur Lleja, pasi ata kishin lënë shërbimin duke i goditur me sende të forta.
Ndërsa në kushtet e vetëmbrojtjes, kolegu i dy efektivëve, David Madani qëlloi në ajër me armën e shërbimit. Për shkak të qitjes së pavullnetshme u plagosën dy kolegët e tij dhe Nikollë Vorfi.
Ngjarja ndodhi pasi dy policët Ilir Zekaj e Flamur Lleja kishin shkuar paraditen e 13 prillit për kontroll në lokalin e Lekë Fufit, për aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Në atë moment Nikollë Vorfi ka kundërshtuar këtë veprim, ndërsa policia e shoqëroi në komisariat./abcnews.al