Plagoset me armë 77 vjeçari/ Familjarët: E vranë xhajën në gjumë

schedule15:11 - 14 Shtator, 2018

schedule 15:11 - 14 Shtator, 2018

Një 77 vjeçar u plagos në kokë me armë zjarri në fshatin Remas të Lushnjes gjatë një operacioni që Forcat Speciale të RENEA-s po kryenin në zonë. Sipas familjarëve, RENEA ka qëlluar me armë Haxhi Likën, në kohën që ky i fundit ndodhej në gjume. Ndërsa Policia e Shtetit ka një tjetër version për ngjarjen. Sipas saj i moshuari ka dalë me armë në dritare dhe nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë. Rrethanat e plagosjes mbeten ende të paqarta.

Fisi Lika nga fshati Remas i Divjakës u zgjua i terrrorizuar. Gjatë një operacioni policor të forcave speciale RENEA, u plagos në kokë Haxhi Lika, 77 vjeç. Pretendimet e familjarëve janë se i moshuari u qëllua me plumb kur ndodhej në gjumë. Bashkëshortja e tij, Rrufe Lika ndodhej me të në dhomë.

“Qemë në gjumë të dy anë dritares aty, ku di unë ça bënë, nuk mbaj as mend, por që na zgjunë, ishte e papritur (qan) nuk e di si qe. Ne në punën tonë”.

Pamjet e marra në dhomën e gjumit tregojnë shenjat e plumbit i cili ka hyrë nga dritarja dhe ka përfunduar në murin e brendshëm të saj. Gjurmë gjaku konstatohen edhe në krevatin e të plagosurit. Një tjetër gjurmë plumbi është poshtë dritares, nga ana e jashtme e banesës.

Familjarë të tjerë të fisit Lika, tregojnë momentët e mësymjes së policisë në banesat e tyre.

Familjar 1: I thashë pse më qëlloni ça kini, jeni policia ça doni, kontrolloni ça keni në shtëpi, ore po nuk kam gjë, kam gruan kam dhe gocën dhe çunin.

Familjar 2: Të vish në 4 të mëngjesit të ngrihesh nga gjumi, Ne thamë ça ishte kjo zhurmë sikur dhe kriminelë të kishim qenë ne, jo ashtu. Shteti është shtet, bjere kartën e identitetit nëse kërkon njeri, shikonte mua çunin, tjetrin.

Familjar 3: Kërkojmë një të shumëkërkuar na thanë që është strehuar këtu te ju, po hajde urdhëroni, hajdeni brenda i thamë ne. Po të sillen si njerëz jo si kafshë. Të vesh ti të vrasësh plakun në gjumë. Plaku 78 vjeç pa u ngritur nga gjumi me armë në rrëzë të veshit.

Familjar 4: Na erdhi policia terror, në orën 5 të mëngjesit terror, qëlluan me armë na plagosi të tërëve, na ktheu me fytyrë pas murit, na vendosi prangat.

Familjar 5: E vranë xhajën në gjumë.

Gazetarja: Ku e kapi plumbi?

Familjar 5: Në ballë i ka dalë prapa kokës.

Gazetarja: Po tani ku e mbajnë.

Familjar 5: Në spital qe, në Lushnje, nuk e mbajtën, tani është në Tiranë.

Policia e Shtetit ka reaguar me anë të një njoftimi për shtyp në lidhje me ngjarjen. Sipas saj gjatë planit operacional për kapjen e dy të dyshuarve për vrasje, të cilët fshiheshin në banesën e 77- vjeçarit, ky i fundit thirrjes së policisë i është përgjigjur me armë. Haxhi Lika sipas policisë ka dalë në dritare me armë gjahu.

Ndërsa policia pas thirrjes për dorëzim ka qëlluar në ajër. Plagosja e 77 vjeçarit mbetet në rrethana të paqarta sipas policisë. Ai ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Pas këtij operacioni policia ka ndaluar dy djemtë e të plagosurit , vëllezërit Martin dhe Arben Lika.

Sipas Policisë së Shtetit është marrë informacion se në banesën e të moshuarit Lika strehoheshin dy shtetas të dyshuar si autorë vrasjesh. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!