Nëse flakët që përfshinë Syrin e Kaltër do të mund të izoloheshin në këtë majë mali, Delvina dhe fshati Kakodhiq do t’i kishin shpëtuar zjarrit.
Kështu mendon Lulëzim Callari, i cili dy ditë më parë ishte bashkë me zjarrfikësit kur këta po mundoheshin për të vënë në kontroll flakët.
“Nëse zjarri do të ndërpritej te ky vend këtu atëherë Delvina do të shpëtonte, zjarrfikëset e Delvinës që zoti i ruajtë janë futur aty poshtë mes flakëve, janë asfiksuar dhe prapë kanë dalë. Forcat e Armatosura që ishin aty na thanë që largohuni se e mbajm ne zjarrin. Unë ika për në Kardhikaq kur u ktheva pastaj gjithçka ishte djegur.”
Flakët u përhapën më shpejtësi duke shkrumbuar gjithçka kishin para.
“Vet pamja flet, situata ishte tepër e vështirë, zjarri erdhi në menyrë të papritur ditën e fundit, se ditën e pare ishte në Delvinë, në mëngjes u zgjuam dhe ishte kjo situatë, pjesa e ullishtes tonë u dogj për disa minuta. Erdhën zjarrfikëset bënë pjesën e tyre, por fatkeqësisht nuk ia arritën qëllimit.”
Në Kakodhiq, 10 shtëpi janë djegur plotësisht ndërsa pemët frutore dhe ullinjtë nuk llogariten.
“Nga këtej pastaj zjarri dogji pjesën më të madhe të Nishanit, pothuajse njëri kishte rreth 3000 pemë frutore, një shok tjetër kishte rreth 2000 rrënjë ullinj. Dhe pjesa më e madhe e Nishanit u dogj! Dëmi llogaritet pa fund, pa fund, vetëm një shokut tim i janë djegur 15 mijë rrënjë, një tjetri 2000 rrenjë, mua 400, dikujt 200….”
“Janë rreth 10 shtëpi të banuara ose të braktisura që janë të djegura, dëmi nuk mund të llogaritet, por fshati jonë Kakodhiqi ka rreth 1800 rrënjë ullinj, sot mund të jenë djegur rreth 1000”.
Tek banorët, frika për atë që përjetuan vijon të jetë e pranishme…
“Erdhëm nga Greqia të rrimë disa ditë pushimi, për festën e fshatit të mbledhin fëmijët të gëzojmë të gjithë. Gjetëm flakën nga Delvina deri këtu, as gjermani nuk na dogji kështu.”
Në vatrën e zjarrit, më lehtë numërohet çfarë ka mbetur pas, se ajo çfarë ka humbur.
Tymi po largohet dhe dëmet kanë nisur të llogariten, por jeta e banorëve të qytetit jugor dhe fshatrave të tij pas dy ditëve të fundit në luftë me flakët do të marrë një tjetër rrjedhë./abcnews.al

