Pjesë e grupit Çopja në Elbasan, arrestohet në Kosovë i kërkuari nga SPAK Arben Lamçja

schedule16:50 - 4 Gusht, 2024

schedule 16:50 - 4 Gusht, 2024

Pak ditë pas urdhër arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Posacme është arrestuar në Kosovë një prej anëtarëve të bandës Copja të Elbasanit, Arben Lamce.

I shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare ai u kap këtë të diel gjatë një operacioni të policisë së Kosovës në një lagje të Prishtinës. Policia shqiptare ka siguruar informacionin për vendndodhjen e tij dhe më pas ia ka dërguar policisë së Kosovës.

Arrestimi i Lamçes është bërë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, ku do të njihet edhe me masën e sigurisë.

Bashkë me të është vënë në pranga edhe një tjetër person në lagjen “Emshir” të Prishtinës. Arben Lamce është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.

Pas dënimit nga autoritetet Italiane për shfrytëzim prostitucioni, në vitin 2011 ai u kap në Elbasan dhe më pas u ekstradua në Itali. Ndërsa në vitin 2016 në Elbasan dhe Tiranë iu sekuestruan disa prona, dyqane e troje si dhe dy shoqëri private në emër të tij dhe personave të tjerë të lidhur me të.

Në muajin korrik të këtij viti Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit, “Arrest me burg”, për katër vepra penale, pjesë e grupit kriminal, organizatë kriminale, sigurim i kushteve për vrasje si dhe pastrim parash.

Arben Lamce bashkëpunonte me vëllezërit Franc dhe Hajdar copja në Elbasan për pastrimin e parave të përfituara nga aktivitete kriminale.

Me arrestimin e tij këtë të diel në Prishtinë shkon në 16 numri i të arrestuarve me urdhër të SPAK të akuzuar për ngjarje të rënda kriminale, 14 prej të cilëve në Shqipëri dhe dy jashtë vendit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!