Pjerin Ndreu: Të besëlidhemi për Lezhën. Rama: E di mirë ça më pret me këtë zotëri

schedule18:41 - 2 Qershor, 2019

schedule 18:41 - 2 Qershor, 2019

Partia Socialiste prezantoi në Lezhë këtë të diel Pjerin Ndreun si kandidatin e saj për kryetar bashkie. Ish-deputeti i Partisë Socialiste u shpreh se nën drejtimin e opozitës, Lezha ka pasur pushtet lokal të dobët, të përgjumur dhe që keqadministron fondet. Ai deklaroi se Lezha nën drejtimin e tij do të jetë e qytetarëve.

“I mungon kësaj godine, njerëzit e kësaj godine që ta nxjerrin nga ky batak ku ka rënë sot. Kurrë më parë Lezha nuk ka pasur pushtet lokal më të dobët, kurrë më parë nuk ka pasur pushtet lokal më të përgjumur, kurrë ky qytet nuk ka pasur një administratë që keqadministron fondet. Jemi sot këtu që të besëlidhemi për Lezhën e nesërme që nuk do jetë si sot, por do jetë një Lezhë e juaja sepse do ta bëjmë ne socialistët me Edi Ramën në krye”, tha Ndreu.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha se do ta mbështesë Pjerin Ndreun. Madje sipas kryeministrit, Pjerin Ndreu ia kishte shprehur ambicien kohë më parë dhe të qenit deputet ka qenë provë për kandidatin e Bashkisë së Lezhës.

“Mbi të gjitha është një njeri i lidhur me njerëzit, i lidhur me komunitetin, i lidhur me territoret këtu. E di mirë ça më pret me këtë zotëri. E di shumë mirë se ça më pret. Vetëm ankesa dhe kërkesa, por asnjëherë asnjë ankesë dhe kërkesë personale. Gjithmonë si deri tani si deputet ankesa dhe kërkesa për Lezhën, për një fshat, për një gjenerator apo për dikë që duhet të operohet. Ma kishte shprehur ambicien kohë përpara. Donte të drejtonte Lezhën dhe unë i thashë “tregoje veten si deputet edhe pastaj shikoje nëse të duan apo jo ata si kryetar bashkie”. Unë do ta mbështes Pjerinin për Lezhën me të gjitha mundësitë. Këtu në Lezhë kam parë gjëra fantastike të bëra vetëm si pasojë e vullnetit dhe talentit të njerëzve”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!