Kosova doli e fundit në rajon në PISA, me 11 pikë më pak në krahasim me 2018.
Analisti Ridvan Berisha në një intervistë në emisionin “Balkan Update”, kritikoi qeverinë e Kosovës duke thënë se ka lënë pas dore arsimimin, duke e çuar situatën në vend në një gjendje katastrofe. Berisha nuk i kurseu kritikat edhe për Ministrinë e Arsimit, duke thënë se vetë ajo nuk do ta kalonte këtë test, për shkak të nivelit të dobët të drejtuesve.
“Kosova ka një qeveri të paaftë dhe ka një ministre që ajo vetë nuk do ta kalonte testin e PISA-a. Këtu nuk jemi për të manifestuar emocion, gjendja është katastrofë dhe këtë duhet ta pranojmë. Mësimdhënia në Kosovë është në nivele alarmante. Ky sektor menaxhohet nga Ministria e Arsimi që drejtohet nga njerëz që po t’i nënshtroheshin testit, nuk do ta kalonin. Nuk ka vend të përjetshëm të punës”, ka thënë analisti Ridvan Berisha, duke shtuar: “Ministrja është e paaftë dhe do të hyjë në histori si ministrja më e dobët dhe problemi më i madh kryeministri Kurti. Sepse ministrja e Arsimit është një kukull aty. Është e papranueshme që të deklarohet se statusi i mësimdhënësit degradohet duke bërë testin”.
Berisha gjithashtu u shpreh zhgënjyes, duke thënë se nuk pret të ketë një vlerësim të mësuesve.
“Nëse presim nga kjo qeveri që janarin e 2024 ta nisë me ndonjë mrekulli kjo është e pamundur. Janë të paaftë. Kemi një valë serioze të braktisjes së vendit. Mësuesit nuk mund të presin asgjë nga kjo qeveri,. Kjo qeveri i ka shpallur luftë të gjithëve”, tha ai
/abbcnews.al/