Në një intervistë në “Provokacija” mjeku Infeksionist Pëllumb Pipero theksoi se pavarësht masave lehtësuese duhet të respektohet distancimi social. Mjeku Infeksionist shpjegoi se kurba ka një rënie të vazhdueshme.
Gjatë bisedës në “Provokacija” Pipero gjithashtu tha se në ambiente publike apo vende me grumbullime duhet të vendosen maska, ndërsa shtoi se COVID-19 është në përpëlitjet e fundit.
Pipero: Përgjithësisht viruset respiratore kanë sezonalitet. Ky virus nuk shfaqet për një farë kohë, ndaj dhe themi se mund të ketë një valë të dytë. Por kurba ka një rënie të vazhdueshme.
Ka dy momente të rëndësishme në këtë periudhe që janë shtrimet në spital dhe humbja e jetëve njerëzore. Pas çdo rasti pozitiv ose me klinik fshihen 10-15 pa klinik. Në këtë situatë që jemi tregues i rëndësishëm është sa raste kemi me klinikë dhe sa raste kemi në spital.
Në këtë aspekt them që këtij virusi i ka rënë jo vetëm transmetueshmmëria (ne e kemi diku tek 08-09 dhe i bie që për dy apo tre jave të mos kemi më raste nëse vazhdon me këtë ritëm) por edhe virulenca. Në uljen e transmetueshmërisë temperaturat janë faktor i rëndësishëm.
Deri tani sot janë bërë 6 dalje dhe nuk kishim një shtrim të ri. Por edhe kur vijnë janë pa komplikacione. Por virusi duke kaluar nga nja qytetar te tjetri i bie virulenca, nisur nga këto parametra them se po shkon drejt asaj që nuk do të duket më, për një farë kohe, por duhet të jemi të përgatitur për mundësinë e një vale të dytë.
Nuk e përjashton një valë të dytë apo je i sigurt që mund të vijë?
Pipero: Nuk e përjashtoj, i sigurt nuk jam. Kam shumë mëdyshje që mund të kthehet.
Mjeku Infeksionist ndër të tjera tha: Masat e distancimit social, respektimi i masave nga qytetarët dhe mundësia që na dha media të komunikojmë me qytetarët kanë ndikuar pozitivisht. Këtë herë Spitali Infektiv edhe pse me pak dhimbje ka shkëlqyer. Do të theksoja që kjo pandemi ndoshta ka risjellë në vëmendje disa vlera që ndoshta ishin humbur. Nuk mund të harroj mbështetjen që është bërë. Mbi 70% e popullsisë kanë respektuar masat dhe kaq mjafton për ta mundur epideminë.
Testimet:
Pipero: Është e vështirë për mua të them që është bërë mirë apo është bërë keq. Unë jam kundër testimeve. Kam qenë për një organizim të epidemiologëve tanë. Ashtu sikundër është bërë, të cilët kanë gjurmuar rastet me klinik, kontaktet e afërta dhe kjo na ka sjellë gjithmonë afër vatrës, dhe për ta izoluar. Tani është momenti më i mirë për të vazhduar hetim inteligjent. Për tamponët kam mendimin që duhet të vazhdojnë atje ku ka kontakte të afërta.
Ti ke bërë testim?
Pipero: Po, kam bërë.
Më tej ai theksoi se periudha e tanishme është periudha më e mirë edhe për tu liruar masat por edhe për tu ekspozuar sepse krijon imunitet.
COVID-19 në Shqipëri e kemi mundur?
Pipero: Po. Unë po them që ne e kemi mundur dhe që është në përpëlitjet e fundit. Askush nuk mund të bënte parashikime në akt pandemi, por kam thënë që besoj se gjysma e dytë e majit do të na gjejë me shumë pak raste.
Fundi i majit ndoshta nuk do të ketë më raste, por duhet të kalojë 1 muaj nga rasti i fundit pozitiv që ne të jemi të lirë nga COVID-19. Do të thoja që kemi arritur një fitore jo vetëm bindëse, por edhe domethënëse të koronavirusit në Shqipëri.