Pezullohet nga detyra shefi i Urbanistikës në Durrës

schedule19:27 - 13 Mars, 2018

schedule 19:27 - 13 Mars, 2018

Shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit është pezulluar dhe po hetohet për “shpërdorim detyre”. Zyrtari i bashkisë ka dhënë leje ndçrtimi për një hotel tek Ura e Dajlanit në kundërshtim me ligjin dhe në një zonë të rëndësisë kombëtare.

Shefi i Urbanistikës në Durrës pezullohet nga detyra dhe merret nën hetim. Gjykata e Shkallës së Parë në këtë qytet miratoi kërkesën e Prokurorisë për të vendosur “Pezullim të ushtrimit të detyrës” së Drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, Adhurim Qehajaj.

Ky vendim u mor pas hetimit mbi dhënien e një leje ndërtimi nga Bashkia Durrës për objektin në pronësi të Ndriçim Domit, që ndodhet ndërmjet rrugës kombëtare tek “Ura e Dajlanit” dhe bregut të detit. Prokuroria arriti në përfundimin se leja e dhënë nga Bashkia është në kundërshtim me kriteret e ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Objekti me sipërfaqe 1516.8 m2 ndodhet brenda kufirit kufizues të përcaktuar si Zonë me Rëndësi Kombëtare, në pjesën e brezit bregdetar. Gjykata vendosi sekuestro preventive në lidhje me objektin dhe truallin duke urdhëruar: Pezullimin e kryerjes së mëtejshme të punimeve të ndërtimit në objektin “Hotel 5-6 katësh dhe 1 kat nëntokë” si dhe pezullimin e kryerjes së transaksioneve se pasurisë në pronësi të Ndriçim Domi.

Prokuroria saktësoi se leja e zhvillimit dhe ndërtimit është dhënë për një zonë të përcaktuar si të Rëndësisë Kombëtare dhe është Këshilli Kombëtar i Territorit organ kompetent përgjegjës për të miratuar lejet e zhvillimit dhe ndërtimit në këto zona. Shef i urbanistikës së Durrësit akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!