Pezullimi i licencës së “Klan Kosovës”, Sadiku: Protesta e gazetarëve ia arriti qëllimit, sulmi me prapavijë politike

schedule18:49 - 31 Korrik, 2023

schedule 18:49 - 31 Korrik, 2023

KOSOVË- Asociacioni i Gazetarëve në Kosovë protestoi sot duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Albin Kurtit, e cila vendosi t’i pezullojë licencën televizionit Klan Kosova. Ky sulm i drejtpërdrejtë i qeverisë së Kosovës ndaj medias në fjalë ka hasur në reagime të fuqishme brenda ashtu edhe  jashtë kufijve të vendit.

Anëtar Bordi i Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës, Naim Sadiku tha për “Special Report” se protesta e sotme e përmbushi synimin e saj. Ai u shpreh se tubimi i gazetarëve në mbështetje të Klan Kosovës mori jehonë në mediat prestigjioze ndërkombëtare.

“Besoj që duke u nisur nga numri i pjesëmarrjes, qëllimi i protestës është arritur. Ky shqetësim dhe ky alarm është mbështetur edhe nga organizata të tjera, që mbrojnë të drejtat e gazetarëve si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Gjithashtu edhe raportimet e mediave amerikane prestigjioze për këtë, besoj se mesazhi ka qenë i ditur për qeverinë e Kosovës, me këtë mbështetje që ju dha lirisë së medias dhe lirisë së fjalës”, tha ai.

Ai thotë se Asocacioni i Gazetarëve aktin ndaj “Klan Kosovës” e konsideron si sulm politik të iniciuar nga qeveria “Kurti”.

“AGK e alarmoi situatën dhe reagoi duke shprehur shqetësimin për këtë vendim. Ky veprim është konsideruar si veprim politik dhe ka për qëllim cenimin e lirisë së medias”, theksoi ai.

Mes tjerash, Sadiku theksoi se gjatë kësaj kohe gazetarët kritikë ndaj qeverisë Kurti janë fyer dhe ofenduar publikisht nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetë dhe anëtarë të qeverisë së Kosovës.

Në këto kushte, anëtari i bordit të AGK-së theksoi se beson, që Gjykata do të marrë vendim të drejtë dhe nuk do të lejojë mbylljen e televizionit Klan Kosova, pasi në të kundërt kjo do ishte dhunë ndaj medias dhe fjalës së lirë në një vend demokratik, siç është Kosova.

“Gazetarët në Kosovë gjatë kësaj kohe janë përballur me një linçim, me një fushatë të egër të eksponentëve të partisë në pushet, të VV, të deputetëve të saj, dhe të ministrave të tjerë duke fyer, linçuar dhe ofenduar gazetarët, që kanë kundërshtuar vendimin për mbylljen e një mediumi.  Kërkojmë nga gjykata që këtë rast ta trajtojë në mënyrë të drejtë duke mos lejuar interferime (ndërhyrje) qoftë politike, qoftë të tjera dhe duke mos lejuar mbylljen e një mediumi”, shtoi ai/n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!