Petkoviç: Presim që OSBE të organizojë zgjedhjet presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë

schedule15:24 - 25 Janar, 2022

schedule 15:24 - 25 Janar, 2022

Drejtori i të ashquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç është takuar me shefin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport të cilit i ka thënë se pret që misioni i OSBE-së do të veprojë sipas mandatit të saj, duke aluduar në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë.

Përmes një komunikate zyra e Petkoviçit ka thënë se serbët në Kosovë me përkrahjen e OSBE-së kanë pasur të drejtë vote në zgjedhjet e organizuara në Serbi dhe se misioni i tyre është përgjegjës për organizimin e votimeve në Kosovë më 3 prill.

“OSBE-ja në Kosova ka një rol domethënës për të vendosur rend dhe ligj dhe një ambient të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe shprehu pritshmëritë se misioni i OSBE-së do të vazhdojë të veprojë në bazë të mandatit të saj”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë më 16 janar. Për këtë çështje u mbledh edhe Kuvendi i Kosovës ku miratoi rezolutën që kundërshtoi mbajtjen e këtij referendumi.

Më 3 prill mbahen zgjedhjet presidenciale në Serbi dhe të njëjta do të synohet që të mbahen edhe në Kosovë./Express