Peshkarexha me 25 mijë litra naftë u bllokua në Durrës, vëllezërit e arrestuar: Karburantin e kemi për punën tonë

schedule11:43 - 7 Shtator, 2022

schedule 11:43 - 7 Shtator, 2022

25.000 litra naftë e dyshuar kontrabandë janë sekuestruar në Portin e Durrësit.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se aksioni është zhvilluar nga struktura doganore  Antikontrabanda Detare në bashkëpunim me policinë kufitare në Durrës.

Në pranga kanë rënë dy vëllezërit nga Kavaja, Shpëtim Canin, 43 vjeç, banues në Durrës, me detyrë kapiten, si dhe Roland Canin, 41 vjeç, me detyrë marinar i anijes peshkatore “LEON”.

Lexo edhe: Bllokohet peshkarexha me 25 mijë litra naftë kontrabandë në Durrës, arrestohen 2 vëllezërit

Por, në dëshminë e tyre vëllezërit kanë mohuar që nafta ka qenë kontrabandë.

“Karburantin e kemi për anijen tonë, nuk kemi kryer asnjë shkelje. siç e patë edhe vetë nuk kishim sajuar depozita, por vetëm depozitën e mjetit”, kanë thënë vëllezërit në dëshminë e zbardhur nga Abc.

Mësohet se peshkarexha vinte nga vendet e Lindjes, ndërsa dyshohet se nafta ishte  planifikuar për t’u hedhur në tregun e brendshëm.

Kujtojmë se më 23 korrik, policia sekuestroi 80 mijë litra karburant të futur kontrabandë përmes një peshkarexhe në port. Anti-kontrabanda detare po vijon kontrollet intensive, duke u fokusuar tek mjetet lundruese./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!