Pesha e “takave të holla”, si u votuan gratë e politikës

schedule20:07 - 30 Prill, 2021

schedule 20:07 - 30 Prill, 2021

Nga Esiona Konomi

Nëse listat do të ishin 100 % të hapura, Najada Çomo nuk do të ishte në parlament. Ajo është kandidatja më pak e votuar në pjesën fituese të Tiranës, por shpëtoi mandatin, pasi Kodi Zgjedhor i mbron gratë, dhe Fatmir Xhafaj ia mori mandatin duke thyer herësin një burri, Fidel Yllit.

Mjekja mori vetëm 1,583 vota, ndërsa Luljeta Bozo që erdhi në PS një lloj me Çomon, muajin e fundit të fushatës, ka marrë 5,435 vota.

Vota personale sa për të hyrë në Kuvend morën vetëm tre burra, Boçi i PD, dhe Xhafaj e Rakipi i PS. Asnjë grua nuk mori votëbesim aq sa duhej për të hyrë në pjesën fituese.

Por si u votuan zonjat në rang vendi?

Këto janë 5 gratë më të mbështetura nga elektorati. Kryeson Belinda Balluku me mbi 15 mijë vota, teksa ka një diferencë me ministren tjetër socialiste, Elisa Spiropali që ka marrë gati gjysmat e votave të Ballukut.

Nga demokratët, gruaja më e votuar është Grida Duma me rreth 8700 vota.

Megjithatë, ka zonja nga të dy kampet të cilat edhe pse kanë qenë në pozicion të mirë në listë, apo në kryesimin e saj, por qytetarët nuk i kanë pëlqyer.

E tillë është Milva Ekonomi në Durrës, që edhe pse kryeson listën, nuk ja ka dalë të jetë më e votuara. E njëjta gjë vihet re për të dytën e listës Blu në Elbasan Flutura Açka. Shkrimtarja nuk i mblodhi dot 2 mijë vota.

Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi, edhe pse drejtuese partie, nuk arriti dot kuotën e 2,500 votave personale, as në Tiranë, as në Fier.

Në 10 politikanët më të votuar në rang vendi, vetëm dy janë të Partisë Demokratike. Më i mbështeturi është Taulant Balla i ndjekur nga Fatmir Xhafaj. Në vendin e tretë, Lulzim Basha e mund Edi Ramën me vota personale, duke e lënë kryeministrin të 4-tin. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!