Ankandi i shumëpritur i Vllaznise ka nisur në orën 10.00, por sot nuk do të ketë një fitues. Ky eshte lajmi më i fundit që mësohet nga Bashkia Shkodër, referuar ligjit të ankandeve, që do të thotë se për të mësuar pronarin e ri të Vllaznisë duhet pritur të paktën edhe 17 dite.
Ndërkohë në orën 10.00, disa nga biznesmenët që kanë shfaqur interes për të marrë pjesë në ankand, janë shfaqur në sallën e Këshillit Bashkiak për të marrë pjesë në këtë proces. Gazetari i ABC, Simon Shkreli raporton se procesi do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe paraprakisht është parë se të pranishëm kanë qenë përfaqësues të 4-5 firmave të interesuara.
Ka rënë në sy sponsori aktual Alban Xhaferi, Almiro Gurakuqi, por edhe të tjerë. Bëhet e ditur se sot biznesmenët e interesuar do të paraqesin ofertat e tyre para komisionit, që do ua bëjë më pas publike të gjithe të pranishmëve.
Pas 10 ditësh do të ketë një takim të dytë dhe nëse nuk ka ankesa, një javë më pas zhvillohet ankandi përfundimtar për të mësuar emrin e pronarit të ri të Vllaznisë. /abcnews.al