Personazhe show në fushatë, ekspertët e komunikimit: Përdoren për pastrim imazhi, pa rezultat në vota

schedule19:44 - 10 Tetor, 2020

schedule 19:44 - 10 Tetor, 2020

Deri në datën 25 prill, kur shqiptarët do i drejtohen kutive të votimit, ka gati 6 muaj, por partitë në format e tyre kanë nisur fushatën për të bindur votuesit se janë alternativa më tërheqëse.

Në sy ka rënë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj që pothuajse çdo ditë na ka prezantuar me një mbështetës të tij nga bota e spektaklit dhe të artit.

Sigurisht kjo nuk është një strategji e re. Është përdorur jo pak herë gjatë dueleve elektorale Berisha-Rama, në një nivel edhe më spektakolar.

Dhe studiuesit e shkencave politike dhe të komunikimit e njohin mjaftë mirë.

“Të gjithë emrat e rinj, mua më duket si një parafushatë për të krijuar klimën dhe atmosferën, por jo tamam diçka për të ngjallur besim tek shqiptarët. Fushatat politike në përgjithësi janë fokusuar tek forma, jo përmbajtja. Nuk kemi pasur fushata që në thelb të tyre të kemi një vizion, një program të mirëfilltë dhe ti qëndrojë këtij program deri në fund”, u shpreh Jonila Godole.

Ndërsa Klementin Mile u shpreh: Çështja e spektaklit ka kohë që praktikohet në politikën shqiptare. Sigurisht që PS është avangard në raport me forcat e tjera politike.

Pozicionimi i personazheve të spektaklit në fushatë është e zakonshme në SHBA, duke mbështetur njërin prej kandidatëve për President. Por në rastin e Shqipërisë është ndryshe, thotë pedagogu i shkencave politike, Klejd Këlliçi.

“Lidhja bëhet me personin më tepër se sa me kauzën apo partinë politike, në rastin konkret me kryetarin e bashkisë. Personat investohen jo shumë politikisht se sa me personin që prodhon disa rezultate të caktuara”, tha ai.

Edhe studiuesja e komunikimit, Jonila Godole shpreh të njëjtin mendim për rastin e Shqipërisë.

“Nuk mendoj se kanë aq shumë lidhje ata persona me anën ideologjike të partive. Në Shqipëri kjo është më se normale sepse këtu nuk kemi një ndeshje të programeve dhe ideologjive por kemi më tepër një rendje pas liderit, një partie të caktuar, një emri të caktuar”, tha Godole.

Ka dhe një karakteristikë tjetër, sipas studiueses, të përfshirjes së VIP-ve në fushatë.

 “Vetëm në komunizëm, që nga intelektuali, nga profesorët, akademikët, deri tek artistët dhe të gjithë të tjerët vendoseshin në shërbim të propagandave, për të mbajtur në pushtet Enver Hoxhën dhe klikën e tij, e njëjta gjë në një përqindje shumë të madhe është dhe tani”, u shpreh ajo.

Edhe Këlliçi e sheh këtë anë pragmatiste tek personazhet.

“Një pjesë, jo vetëm e botës së spektaklit, por si funksionon një pjesë e shoqërisë civile në Shqipëri. Në Shqipëri është e vështirë për një intelektual ose një artist të mbijetojë. Punëdhënësi më i madh mbetet shteti dhe në këtë kuptim një pjesë e mirë e këtyre që angazhohen politikisht janë të varur në kuptim të jetës së vetë artistike në raport me shtetin”, tha Këlliçi.

Shumicat zakonisht janë më të prirura të afrojnë imazhe, thotë profesori i shkencave politike, Klement Mile, për të bindur se vijojnë të jenë zgjedhja e duhur.

 “I afrojnë për njërin nga këto dy qëllime, ose për të pastruar imazhin që kanë, ose për të bindur zgjedhësit që janë në fakt zgjedhja e duhur”, shton ai.

Por a përkthehet në vota mbështetja e artistëve?

“Nuk ka ndonjë efekt që të sjellë më shumë vota. Sepse në fund të fundit çfarë kredoje do të sjellë një artist”, sqaron Mile.

Fushata e zgjedhjeve për 25 prillin parashikohet të jetë e fortë  nga studiuesit e politikës, pasi luhet shumë në fatet e secilës forcë konkurruese./abcnews.al/