PRISHTINË– Më 15 prill, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vendosur seancën e konstituimit të Kuvendit. Në këtë datë, pritet të shihet se kush do të jetë krye parlamentari i ri.
Pavarësisht kësaj, Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli parti e parë më 9 shkurt, nuk i ka votat e mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë dhe për këtë i duhet patjetër të kërkojë partnerë nga radhët e opozitës. Deri tani, publiku në Kosovë është njohur me qëndrimin e LDK-së, e cila ka refuzuar ftesën e Albin Kurtit.
Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, i ftuar në “Ballkan Update” në ABC News kritikoi Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që sipas tij nuk po kërkojnë bashkëpunim me spektrin opozitar, por duan të shprehin dominim absolut.
“Ndryshimi i ligjit për zgjedhjet e ka komplikuar punën. Ka pasur shumë parregullsi në zgjedhje, që ka qenë një mangësi e madhe e KQZ. Ka pasur katër vite kohë për t’u përgatitur dhe në provimin final kanë dështuar.
Vetëvendosje dëshiron t’i frikësojë dhe intimidojë partnerët me marifetet e saj. Nuk kërkon bashkëpunim, por kërkon dominim. Kurti dhe VV nuk kanë patur asnjë transparencë”, tha ai.
Ai theksoi se Lëvizjes Vetëvendosje i pëlqen të qeverisë Kosovën vetëm në situata kaosi.
Sipas Arifit, Kosova nëse do arrijë të formojë një qeveri të brishtë, pra me 61 mandate, ajo rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme në muajt në vijim, pasi zgjedhja e presidentit do t’i kushtëzonte në qasjen e tyre.
“Kjo vonesë dhe kjo neglizhencë, dhe ky supozim, na dërgon në këtë hipotezë, që gjithçka është e mundur.
Duke parë sjelljen, VV duket që qeveris vetëm kur ka kaos. Mund të ndodh që edhe nëse kemi qeveri të brishtë me 61 mandate, mund të kemi zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme në shtator ose tetor, bashkë me ato lokale”, tha ai.
Gjatë diskutimit më “Ballkan Update”, profesori i Shkencave Politike thotë se vonesa në krijimin e qeverisë do ketë pasojë serioze në ekonominë e vendit, aq më tepër në këto rrethana kur dhe klima gjeopolitike botërore ka ndryshuar shumë, sidomos pas ardhjes së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, në janar të 2025.
Ai kërkoi nga shoqëria të reagojë dhe ta vendosë me “shpatulla pas muri” Albin Kurtin dhe t’i kërkojë atij të formojë pa humbur kohë qeverinë dhe të bëjë transparencë para sovranit, i cili e ka votuar jo për të bërë marifete politike, por për të qeverisur në mënyrë të denjë Kosovën.
“Që nga janari kur Trump mori detyrën deri në prill, ka ndryshuar komplet perceptimi mbi politikën globale. Kemi një ndryshim të madh dhe të prekshëm në arenën ndërkombëtare, ndërsa qeveria e Kosovës prej dhjetorit dhe deri tani jemi në zgjedhje është ende kemi mbetur në pikën A.
Nuk ka presion dhe as kritika publike, që qeveria të bëhet sa më shpejt. Kjo e dëmton ekonominë e Kosovës.
Këtu nuk është vetëm përgjegjësia tek aktorët politikë, por edhe tek shoqëria, e cila duket se nuk po kërkon sa duhet”, u shpreh ai/ n.m.abcnews.al