“Përse vazhdojnë të rriten rastet?” Kirurgu Elson Gjoni tregon si po menaxhohet COVID-19 në Itali

schedule22:26 - 1 Prill, 2020

schedule 22:26 - 1 Prill, 2020

Elson Gjoni, kirurg në Itali në një lidhje të drejtëpërdrejtë ka folur në “Byro Politike”, me gazetaren Juli Xhokaxhi për situatën e vështirë të shkaktuar nga COVID-19.

Ai theksoi se situata në Itali po stabilizohet edhe pse numri i personave të prekur me koronavirus është ende i lartë.

Gjoni u shpreh se masat e marra kanë ndikuar në uljen e përhapjes së pandemisë, ndërsa theksoi se masat në Itali duhet të ishin marrë më shpejt për të mos u përballur me një numër të lartë të personave që humbën jetën.

“Lombardia ka gati 45% të personave infektuar dhe ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë, por ka një distancim konstant nga rritja që ishte në fillim. Indeksi i infeksionit është i rëndësishm.

Në fillim, në të gjithë Italinë një person infektonte 2.5 persona, ndërsa me masat e marra një person infekton një person tjetër.

Tani kemi një stabilizim edhe pse numrat duken ende shumë të larta kjo edhe për arsye se numri i të infektuarve që në fillim është shumë i lartë. 40% e tamponeve që bëhen janë pozitiv. Por, përse vazhdojnë të rriten rastet? Numrat janë rritur me rritjen e tamponeve. Kemi arritur në 8 mijë tampone në ditë”, theksoi Gjoni.

Gjithashtu ai u shpreh që me marrjen e masave të fundit nuk ka pasur më lëvizje nga veriu në jug.

Gjithë problemet që ka jugu janë lëvizjet e para. Rritja e jugut nuk ka rritjen që kishte Lombardia, pikërisht sepse u morën masa dhe u verifikuan më mirë.

“Në Lombardi kur u morën masat numrat e personave të prekur ishin shumë të larta. Edhe pse janë dyfishuar laboratorët nuk arrihet të kontrollohet një masë e lartë testimi. Stafet mjekësore po mundohen të gjejnë mënyra që të bëhen testime më të shpejta.

Mosha mesatare në Itali mbetet 79-vjeç, ndërsa shkalla e vdekshmërisë poshtë moshës 50-vjeç mbetet më pak se 1 %”, u shpreh ai.

Më tej ai theksoi se po vazhdon përdorimi i klorokinës, medikamentet që po përdoren premtojnë, por janë të gjithë në protokoll studimi.

“Ka akoma shumë pacientë, por me masat e marra ka një rënie. Sot kishim 165 të shtruar nga COVID-19.

Më parë vinin 10-15 pacientë në ditë dhe nuk i përballonin dot, ndërsa sot kemi një numër prej 3-4 persona.

Klorokina mbetet një nga medikamentet që po përdoret dhe po mundëson që pacientët të mos kalojnë në përkeqësim të situatës”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!