Përplasjet me Rusinë, NATO sot del me plan të ri

schedule10:37 - 21 Tetor, 2021

schedule 10:37 - 21 Tetor, 2021

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s këtë të enjte pritet që të diskutojnë në lidhje me master-planin e ri për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm i Rusisë në shumë fronte në përpjekje për ta parandaluar rrezikun nga Moska, pavarësisht fokusit të ri ndaj Kinës.

Zyrtarët e lartë kanë bërë me dije se strategjia, e cila është konfidenciale, shkon përtej planeve ekzistuese rajonale të mbrojtjes dhe ka për synim që të bëhen përgatitje për ndonjë sulm në rajonet e Detit Baltik dhe Detit të Zi, përfshirë përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, sulmin nga hapësira ose hakimin e kompjuterëve.

Ndër të tjera diplomatët e tjerë të vendeve anëtare në aleancë thonë se rreziku për një sulm të tillë nuk është i menjëhershëm. Rusia mohon se ka qëllime që lidhen me luftën dhe thotë se është NATO-ja ajo që po rrezikon ta destabilizojë Evropën me përgatitje të tilla.

Por zyrtarët amerikanë, diplomatët e NATO-s dhe disa ish-zyrtarë thonë se master-plani i ri dhe plani për zbatimin strategjik të tij janë të nevojshëm në kohën kur Rusia po zhvillon sisteme të avancuara armësh dhe po dërgon trupa e pajisje më afër kufijve të aleatëve.

Ndërkohë kujtojmë se në maj, Rusia grumbulloi rreth 100.000 trupa afër kufirit të saj me Ukrainën, që ishte numri më i madh i ushtarëve që nga koha kur Federata Ruse e aneksoi Krimenë nga Ukraina, sipas zyrtarëve perëndimorë.

Ndërsa në shtator, Rusia përdori robotë të rinj luftarakë në ushtrime masive ushtarake së bashku me Bjellorusinë. Ky aktivitet i ka alarmuar shtetet e Baltikut./abcnews.al